Pyetjet parlamentare

Opozita kritikon ekzekutivin për mungesë llogaridhëniejeje ndaj Kuvendit

Kuvendi i Kosovës

Seanca e Kuvendit të Kosovës që në rend dite ka pasur vetëm pikën “pyetje parlamentare” ka nisur me vetëm një ministër, dhe 15 deputetë në sallë. 

Përkundër insistimit të opozitës që seanca të mos fillojë, nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci e ka nisur atë.

Por në mungesë të ministrave e deputetëve shumica e pyetjeve nuk janë lexuar.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se ka një pyetje për ministrin e Infrastrukturës Liburn Aliu, i cili nuk ka qenë në sallën plenare. “Këtë pyetje e kemi dorëzuar me 4 dhjetor të vitit të kaluar dhe edhe në seancën e kaluar edhe në këtë seancë ministri Aliu nuk është këtu. Meqë ministri nuk është këtu unë nuk kam kujt t’ia bëj këtë pyetje”, është shprehur Qalaj. 

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se ka një pyetje për kryeministrin, Albin Kurti.

“Qe 6 muaj kjo pyetje është parashtruar për kryeministrin dhe nuk ka gjetur kohë me ardhë me u përgjigj. Gjashtë muaj”, është shprehur ajo.

E kolegu i saj nga partia, Besnik Tahiri, ka thënë se për seancën janë dërguar informacionet për kabinetin qeveritar. 

“Është dërguar info për kabinetin qeveritar, këtu e kemi veç një ministër çka bëjmë këtu kjo është maskaradë. Kjo është injorim total i Qeverise ndaj Kuvendit. Ne menjëherë e lëshojmë. Nuk rrimë në. Le të dihet që Qeveria nuk i jep llogari këtij Kuvendi. Ne menjëherë e lëshojmë sallën”, ka thënë ai, para se deputetët e AAK-së ta lëshonin sallën.

Pas disa minutave në sallë, përveç ministrit të Bujqësisë, Faton Peci i cili ka qenë aty nga fillimi, kanë ardhur edhe ministri i Kulturës Hajrulla Çeku dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Deputeti i PDK-së Qalaj, ka thënë se i ka dy pyetje për kryeministrin. 
“Unë i kam dy pyetje për kryeministrin por fatkeqësisht nuk e di a ka dalë në ekzil apo nuk e di por është e papranueshme që ai me ministrat të mos vijnë. Kjo tentativë me i ikë përgjigjeve ndaj pyetje të deputetëve është precedent i keq që është krijuar për shkak se nuk funksionon jeta parlamentare kështu”, është shprehur Qalaj. 

Edhe kolegu i tij nga partia, Hajdar Beqa, ka thënë se ka dy pyetje për Kurtin. “I kam dy pyetje për kryeministrin që i kam parashtruar më 20.10.2023 dhe nuk kemi pasur asnjëherë mundësi t’ia bëjmë. Nëse mundeni ju si kryesuese të na e gjeni kryeministrin unë ia bëj pyetjet por ku me e gjetë. Kjo pamje e Kuvendit tregon më së miri që duhet të shkohet në zgjedhje. Nuk është serioze kjo. Qe 6 muaj kryeministri nuk ka pasur kohë të vijë të përgjigjet”, ka thënë Beqa.

Pas kritikave, Bogujevci ka insistuar se sipas “shumicës së të dhënave një pjesë e madhe e deputetëve nuk kanë qenë aty për të bërë pyetje”. 

Asaj i është kundërpërgjigjur Beqa. “Unë asnjëherë nuk kam munguar kur kam pasur pyetje dhe unë flas vetëm për vete. Por fatkeqësisht asnjëherë nuk ka ardhur ai që kam dashur ta pyes. Madje njëra pyetje ka të bëjë me gjendjen ekonomike me varfërinë që po përballen qytetarët. Me qu këtë qeveri në shtëpi sa më shpejt besoj shpëtojnë qytetarët”, është shprehur Beqa.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pyetjet  tij janë të shkurtit të këtij viti. 
“Është e pamundur të ketë transparencë e mbikëqyrje të Qeverisë në ketë formë. Kështu si po e vazhdoni seancën është një maskaradë e vërtetë dy tre ministra i kemi dhe ju vazhdoni pyetje pas pyetje. Shkruani vërejtje për ministrat. Vërtetë nuk ka kuptim me gjithë respektin për ju”, ka thënë Hoti. 
Bogujevci ka insistuar se më shumë ka mungesë të deputetëve sesa të ministrave. 
“Arsyeja pse e nisa seancën, në bazë të të dhënave kemi shumë mungesë të madhe nga deputetët edhe nga ministrat. Sot më shumë kemi mungesë të deputetëve sesa ministrave”, është shprehur ajo.

Hoti ka thënë se kjo është tallje për Kuvendin.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se mungesa e ministrave është ikje nga përgjegjësia. “

“Çka me ju thanë këtyre, turp për ta. Kjo është ikje nga përgjegjësia. Sa më shpejtë të shkojmë me një qeveri teknike që e përgatit vendin për zgjedhje”, ka theksuar ai.

Ndërkohë që deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka ngritur shqetësimin për mungesë të deputetëve. “Në radhë të parë duhet të ngritët shqetësimi për mungesën e deputetëve. Sepse mungesa jonë si deputetë pakrahasimisht është më e madhe. Ekziston shqetësimi që këta deputetë po duan ta hedhin fajin tërësisht te ministrat”, është shprehur Dugolli.