Arbëri

Shpërfillja e Kuvendit - 15 deputetë e tre ministra në seancë

Shumica e kabinetit qeveritar dhe e deputetëve munguan në seancën e veçantë për pyetje parlamentare. Nga 78 pyetje të deputetëve vetëm tri morën përgjigje. Mungesën e kryeministrit e të ministrave opozita e vlerësoi si ikje nga përgjegjësia dhe pamundësi për të ushtruar kontroll parlamentar mbi Qeverinë. Deputetët patën pyetje për të cilat thanë se s’kanë marrë përgjigje prej 6 muajsh

Në seancën e veçantë për pyetje parlamentare, nga 78 pyetje të deputetëve drejtuar kryeministrit e ministrave, vetëm tri morën përgjigje. Kryeministri, dy zëvendësit e tij e 12 ministrat e Qeverisë nuk erdhën që t’u përgjigjeshin pyetjeve të deputetëve. Përveç tyre, mungesa të shumta pati edhe nga tabori i ligjvënësve, të cilët qenë të paktë në numër. Kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci, pavarësisht kundërshtimit të opozitës që nuk donte të zhvillonte seancën me kaq pak prezencë, ajo i nisi punimet me një ministër e 15 deputetë në sallë.

“15 deputetë jemi, një ministër. Veç një ministër, çka bëjmë ne këtu? Kjo është një maskaradë. Kjo është totalisht injorim i Qeverisë, i kabinetit qeveritar ndaj institucionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ne nuk duhet të rrimë asnjë minutë këtu”, u shpreh kryetari grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ishte i vetmi prej shefave të grupeve parlamentare që ishte prezent në sallë. 

Kësisoj, AAK-ja e lëshoi sallën. Pas tyre në seancë erdhën edhe dy ministra Hajrullah Çeku e Donika Gërvalla duke iu bashkuar ministrit Faton Peci i cili ishte i vetmi në seancë nga fillimi.

Por pavarësisht kësaj, sërish pyetjet nuk mund të parashtroheshin, sepse ose mungonte deputeti, ose ministri, ose të dytë. Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i kërkoi kryesueses që të mos e vazhdojë seancën dhe t’u japë vërejtje ministrave e kryeministrit për mungesat e tyre, të cilat sipas tij, e pamundësojnë mbikëqyrjen parlamentare ndaj Qeverisë.

“Kështu si po e vazhdoni seancën është një maskaradë e llojit të vetë. As ministrat si ke, dy-tre ministra i keni prezentë dhe ju shkoni pyetje pas pyetje. Praktika parlamentare nuk ka kuptim kështu”, ka thënë Hoti.

Por, kryesuesja e deputetë të pushtetit e arsyetonin mungesën e ministrave me mungesën e deputetëve.

“Arsyeja pse vazhdova me seancën është që në bazë të të dhënave kemi mungesë të madhe nga deputetët edhe nga ministrat. Por, sot më shumë kemi pasur mungesë të deputetëve sesa ministrave”, u shpreh Bogujevci.

Njësoj edhe deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, tha se opozita nuk duhet ta hedhë fajin tërësisht te ministrat.

“Në radhë të parë duhet të ngrihet shqetësimi për mungesën e deputetëve. Sepse mungesa jonë si deputetë pakrahasimisht është më e madhe”, ka thënë ai. 

Nga 78 pyetjet, 56 ishin të bartura nga seancat e kaluara të cilat gjithashtu nuk kishin marrë përgjigje e 22 ishin të reja. Deputetët u ankuan për pyetje të parashtruara 6 muaj më parë e që nuk kanë marrë përgjigje. 

“Qe 6 muaj pyetja ime është parashtruar për kryeministrin dhe ai nuk ka gjetur kohe të vije me u përgjigj. Gjashtë muaj”, ka thënë deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj. 

Shqetësim të tillë pati edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa. 

“I kam dy pyetje për kryeministrin qe i kam parashtruar më 20.10.2023 dhe nuk kemi pasur asnjëherë mundësi t’ia bëjmë. Nëse mundeni ju si kryesuese të na e gjeni kryeministrin, unë ia bëj pyetjet por ku me e gjet”, ka thënë ai. 

Pyetjet e ligjvënësve janë mjet me të cilin Kuvendi ushtron kontroll parlamentar ndaj Qeverisë.  Ky kontroll është i rregulluar me Ligjin për Qeverinë, ku thuhet se për punën që bën, Ekzekutivi i përgjigjet Parlamentit. 

“Qeveria për punën e vet i përgjigjet Kuvendit. Përgjegjësia e tillë ushtrohet përmes instrumenteve të mbikëqyrjes parlamentare të përcaktuara në Kushtetutë dhe legjislacionin tjetër në fuqi”, thuhet mes tjerash në nenin 25 të këtij ligji. 

Mosprezenca e Qeverisë u konsiderua ikje nga përgjegjësia, për çfarë deputetët thanë se Kuvendi sa më parë duhet të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. 

“Kjo pamje e Kuvendit tregon më së miri që duhet të shkohet në zgjedhje”, u shpreh Beqa i PDK-së. 
Kryeministri Kurti në disa paraqitje publike ka shprehur gatishmërinë për ta shpërndarë Kuvendin, nëse për këtë, sipas tij ka vullnet nga partitë politike. Nga partitë opozitare vetëm PDK-ja ka shpreh gatishmërinë për zgjedhje, madje ka përmendur qershorin, muajin e mbajtjes së tyre. Por, kjo parti, ashtu si LDK-ja dhe AAK-ja kanë konsideruar se zgjedhjet e parakohshme duhet të jenë rezultat ose i dorëheqjes së kryeministrit ose i shkarkimit të Qeverisë me mocion mosbesimi. Këto propozime nuk janë pranuar nga Kurti.