Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetët e PDK-së dhe Aleancës nga Kuvendi akuzojnë VV-në për uzurpim të institucioneve

kuvend

Foto: Driton Paçarada

Deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca janë mbledhur sërish sot në Kuvend.

Ata kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për uzurpim të institucioneve dhe tendencë për mbajtje të zgjedhjeve të reja.

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka thënë se karriget e zbrazëta në Kuvendin e Kosovës tregojnë se pushteti nuk po e  merr përgjegjësinë që i takon.

Ka deklaruar se kanë kërkuar vazhdimisht që shteti të punojë për qytetarët dhe jo për një parti.

“Demokracia nuk matet vetëm në ditën kur numërohen votat, por çdo ditë pas zgjedhjeve. Për gati 2 vjet Kosova ka pritur që përgjegjësitë të merren, dhe pas 6 vjet qeverisjeje, çfarë kanë  bërë të tjerët nuk mund të jetë përgjigje, sepse përgjegjësia ju takon juve. Jemi vetëm pak ditë larg shtatorit dhe prindërit ende përballen me pasiguri për librat e fëmijëve të tyre”, ka thënë ajo.

Edhe Kuvendi në terr Arbëri Kuvendi në terr

Në anën tjetër, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka thënë Lëvizja Vetëvendosje po keqpërdor gjithçka e çdo institucion.

Ka deklaruar se në historinë e re të Kosovës është e vështirë të gjendet shembulli i njëjtë me atë të situatës politike sot.

“Deputeti Kurti vazhdon ta mbajë të bllokuar Kuvendin. Kosova po përballet me krizë të rëndë institucionale”, ka deklaruar ajo.

Ajo e ka akuzuar LVV-në se do ta dërgojë vendin në zgjedhje.

“Qytetarët nuk kanë besuar kurrë se kjo Qeveri, pas disa muajsh pas vrasjes së rreshterit Enver Zymberaj, shkon në Serbi dhe rregullon vagonë”, ka thënë ajo.

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti të rikthehet në Kuvend bashkë me deputetetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Edhe PDK-ja akuzon VV-në për shantazh ndaj administratës së Kuvendit Arbëri PDK-ja akuzon VV-në për shantazh ndaj administratës së Kuvendit

Në një adresim për media nga holli i Kuvendit ka akuzuar Qeverinë për bashkëpunim me Serbinë.

Ka deklaruar se tendencë e Kurtit është ta rrisë kabinetin ministror, pasi sipas saj, dëshiron t’i rehatojë militantët e tij.