Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës në orën 11:00 janë mbledhur në sallën e seancave plenare të Kuvendit nga ku kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.
Të dyja partitë e kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të procesit të institucioneve të reja të vendit. Ato po kërkojnë që LVV-ja të vazhdojë me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, dhe që për presidentin të merren vesh pas përfundimit të dy proceseve të para.
PDK-ja ka lënë në tavolinat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga një letër me thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe konstituimin e Kuvendit. Letrat janë vendosur në kuadër të kërkesës së saj që seanca konstituive të vazhdojë çdo 48 orë deri në përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Deputeti i PDK-së, Jakup Nura, nga foltorja e Kuvendit ka thënë se LVV-ja po e mban vendin të bllokuar me qëllimin për zgjedhje të reja.
“Ju keni fituar zgjedhjet por jo të drejtën për ta mbajtur shtetin peng. Kosova nuk është pronë e 53 deputetëve. Kuvendi është i 120 deputetëve, i qytetarëve, Kosova është e qytetarëve. Kujt po i konvenon bllokada sot, kush po fiton nga moskonstituimi i kuvendit. Kush po shpreson që nga një krizë të përfitoj. Nëse dikush mendon që zgjedhjet e reja i sjellin më shumë vota le t'ua thotë qytetarëve pse po shkojmë në zgjedhje”, ka thënë ai.
Kurse, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka thënë se institucionet duhet të formohet sa më shpejt për t’u gjetur zgjidhje shumë problemeve që i kanë qytetarët e Kosovës.
Edhe
PDK-ja e LDK-ja marrin pjesë në seancën konstituive, Aleanca e bojkoton
“Nuk mund të qëndrojmë të heshtur kur Kosova ka probleme e sfida që kërkojnë zgjidhje. Të gjithë e dinë që Kuvendi e institucionet duhet të formohen për shkak se nafta është 1.78, Kuvendi dhe institucionet duhet të formohen për shkak se duhet të zhbëhet Ligji për Shtetësinë, Kuvendi dhe institucionet duhet të formohen për shkak se Prishtina dhe shumë qytete e fshatra në Kosovë nuk kanë rrymë”, u shpreh ajo.
Pas mbledhjes në sallën e Kuvendit, përfaqësues të dy partive kanë dalë në konferencë për media ku është ritheksuar thirrja për vazhdimin e seancës konstituive. Deputetja Blerta Deliu ka thënë se LVV-ja po e shkel Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Ajo ka deklaruar se PDK-ja nuk shkon më në takim me kryetarin e LVV-së. Ndërsa deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka thënë se deputetët e LVV-së po e shkelin betimin e dhënë.


-
4 javë aksion para Qeverisë, PDK-ja e Aleanca protestojnë sërish
-
PDK-ja e Aleanca s’ndryshojnë qëndrim për presidentin, kërkojnë vazhdimin e seancës
-
PDK-ja e Aleanca kërkojnë rikthimin në Kuvend: VV-ja ka suprimuar demokracinë në vend
-
PDK-ja e Aleanca para Qeverisë, kërkojnë konstituimin e Kuvendit dhe zhbllokimin e institucioneve