Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Onkologjia që katër muaj pa terapinë Palbociclib

Klinika e Onkologjisë

Pacientët, të cilëve u ishte premtuar se terapinë Palbociclib do ta merrnin këtë të mërkurë, mbetën sërish pa të. As këtë javë terapia nuk arriti në Klinikën e Onkologjisë, ndërsa pacientët nuk morën një datë se kur pritet të bëhet furnizimi. Për kohën e furnizimit nuk pati përgjigje as nga SHSKUK-ja e as nga kompania fituese e tenderit

Pacientët që kanë pritur dy javë me premtimin se do të mund të marrin terapinë Palbociclib, të mërkurën janë detyruar ose ta shtyjnë trajtimin ose të blejnë terapi alternative. Terapia, e cila kushton deri në 1 mijë e 800 euro, mungon tash e katër muaj në Klinikën e Onkologjisë. Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, 12 ditë më parë ka nënshkruar kontratë për furnizim me kompaninë “Santefarm”. Sipas kontratës, operatori ekonomik fitues ka edhe 16 ditë afat për ta dorëzuar produktin. 

Palbociclib është një ilaç kundër kancerit, i cili përdoret kryesisht për trajtimin e kancerit të gjirit të avancuar. Një paciente nga Prizreni thotë se, për shkak të pasigurisë nëse terapia kishte arritur, nuk u nis fare drejt klinikës.

“Sot bëhen dy javë që kam qenë dhe i kam marrë gjilpërat, vaksinat. Për hapat, doktori Iliri tha që vijnë sot, pas dy javësh. Sot në klinikë nuk u nisa pa marrë përgjigje, sepse jam prej Prizrenit. Pa u siguruar që kanë ardhur, nuk u nisa”, ka treguar pacientja.  

Të mërkurën, pacientja Kimete Hoxha iu drejtua Klinikës së Onkologjisë për të marrë terapinë, por aty nuk mori as barin dhe as një datë se kur pritet t’i marrin sërish ato. 

Hoxha thotë se është detyruar të sigurojë vetë një alternativë të terapisë Palbociclib.

Edhe Pacientët me kancer që blejnë vetë terapinë kërkojnë kompensim - shteti hesht Arbëri Pacientët me kancer që blejnë vetë terapinë kërkojnë kompensim - shteti hesht

“Jo s’kishin ardhur as sot, i kam siguruar po s’i kam siguruar origjinal i kam siguruar kësi tjerash, sot i kam përdorë po s’po ndihna mirë hiç, i pyeta te mjekët që mora udhëzimin me ba rrezatime se kam metastazë shumë... Kur mora udhëzimin edhe e pyeta a ka ardhur Pablociclibi tha nuk ka ardhë hala edhe nuk na dha kurrfarë date të caktuar as kur jepet kurgjo nuk na tha”, ka thënë Hoxha.  

KOHA të mërkurën ka kontaktuar kompaninë fituese për të pyetur nëse gjatë kësaj periudhe ka arritur të sigurojë terapinë, por nuk ka marrë përgjigje përmes emailit. Televizioni më pas e ka kontaktuar kompaninë edhe në numrin e telefonit të publikuar në ARBK. 

Një menaxhere që është përgjigjur ka thënë se nuk ka dijeni për këtë çështje dhe se askush nga kompania nuk mund të japë përgjigje deri javën e ardhshme, pasi personat kompetentë për të dhënë përgjigje janë në pushim.

Përgjigje nuk ka pasur as nga SHSKUK-ja, e cila është pyetur nëse e ka njoftuar operatorin për nevojën e furnizimit urgjent, duke pasur parasysh se terapia mungon tash e katër muaj.

Edhe Pacientët me kancer metastatik pa terapi prej tre muajsh, SHSKUK-ja hesht Arbëri Pacientët me kancer metastatik pa terapi prej tre muajsh, SHSKUK-ja hesht

Për mungesën e kësaj terapie dhe faktin që pacientët po detyrohen ta blejnë vetë, ndërsa nuk po kompensohen nga Ministria e Shëndetësisë, juristë kanë thënë për KOHËN se rasti duhet të jetë objekt i verifikimit nga Prokuroria.

Për këtë arsye, KOHA i është drejtuar edhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për ta pyetur nëse do të nisë hetime lidhur me këtë rast, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.