Pacientët, të cilëve u ishte premtuar se terapinë Palbociclib do ta merrnin këtë të mërkurë, mbetën sërish pa të. As këtë javë terapia nuk arriti në Klinikën e Onkologjisë, ndërsa pacientët nuk morën një datë se kur pritet të bëhet furnizimi. Për kohën e furnizimit nuk pati përgjigje as nga kompania fituese e tenderit. Nga kompania thanë se personat përgjegjës nuk mund të japin përgjigje deri javën e ardhshme, pasi janë në pushime
Edhe 12 ditë pas nënshkrimit të kontratës mes Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe kompanisë “Santefarm”, Klinika e Onkologjisë ende nuk është furnizuar me terapinë Palbociclib.
Sipas kontratës, operatori ekonomik fitues ka edhe 16 ditë afat për ta dorëzuar produktin.
Palbociclib është një ilaç kundër kancerit, i cili përdoret kryesisht për trajtimin e kancerit të avancuar të gjirit.
Megjithatë, pacientët ishin paralajmëruar para dy javësh se terapia do të arrinte në Klinikën e Onkologjisë dhe se do të mund ta merrnin këtë të mërkurë.
Një paciente nga Prizreni thotë se, për shkak të pasigurisë nëse terapia kishte arritur, nuk u nis drejt Klinikës.
“Sot bëhen dy javë që kam qenë dhe i kam marrë gjilpërat, vaksinat. Për hapat, doktori Iliri tha që vijnë sot, pas dy javësh. Sot në klinikë nuk u nisa pa marrë përgjigje, sepse jam prej Prizrenit. Pa u siguruar që kanë ardhur, nuk u nisa”, ka treguar pacientja.
исто така
Пациентите со рак кои купуваат сопствена терапија бараат надомест - државата молчи
Terapia, e cila kushton deri në 1 mijë e 800 euro, mungon tash e katër muaj në Klinikën e Onkologjisë, duke i detyruar pacientët ta sigurojnë vetë.
Të mërkurën, pacientja Kimete Hoxha iu drejtua Klinikës së Onkologjisë për ta marrë terapinë, por aty nuk mori as barin dhe as një datë se kur pritet të marrin sërish ato.
Hoxha thotë se është detyruar ta sigurojë vetë një alternativë të terapisë Palbociclib.
“Jo s’kishin ardhur as sot, i kam siguruar po si kam siguruar origjinal i kam siguruar kësi tjerash, sot i kam përdor po s’po ndihna mirë hiq, i pyeta te mjeket që mora udhëzimin me ba rrezatime se kam metastazë shumë... Kur mora udhëzimin edhe e pyeta a ka ardhur Pablociclibi tha nuk ka ardh hala edhe nuk na dha kurrfarë date të caktuar as kur jepet kurgjo nuk na tha”, ka thënë Hoxha.
KOHA të mërkurën ka kontaktuar kompaninë fituese për të pyetur nëse e ka terapinë në depo dhe pse ende nuk e ka dorëzuar në Klinikën e Onkologjisë, por nuk ka marrë përgjigje përmes emailit.
KOHA ka kontaktuar kompaninë edhe në numrin e telefonit të publikuar në ARBK.
Një menaxhere që është përgjigjur ka thënë se nuk ka dijeni për këtë çështje dhe se askush nga kompania nuk mund të japë përgjigje deri javën e ardhshme, pasi janë në pushim.
Përgjigje nuk ka pasur as nga SHSKUK-ja, e cila është pyetur nëse e ka kontaktuar operatorin ekonomik dhe nëse e ka njoftuar se furnizimi është urgjent, duke pasur parasysh se terapia mungon tash e katër muaj.
исто така
Пациентите со онкологија се принудени сами да купуваат основни лекови
Për mungesën e kësaj terapie dhe faktin që pacientët po detyrohen ta blejnë vetë, ndërsa nuk po kompensohen nga Ministria e Shëndetësisë, juristë kanë thënë për KOHËN se rasti duhet të jetë objekt i verifikimit nga Prokuroria.
Për këtë arsye, KOHA i është drejtuar edhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për ta pyetur nëse do të nisë hetime lidhur me këtë rast, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.