Arbëri

OEK-u kërkon që BE-ja t’ia heqë masat Kosovës dhe ta hapë rrugën për zhvillim

Oda Ekonomike i ka adresuar kërkesë Bashkimit Evropian për heqje të masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Në letrën që kryetari i kësaj ode, Lulzim Rafuna, ia dërgoi Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, është theksuar se këto masa janë pengesë për qasjen e institucioneve dhe të bizneseve kosovare në instrumentet e BE-së për zhvillim ekonomik

Kërkesë Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës i ka adresuar të premten Oda Ekonomike. OEK-u i ka kualifikuar masat si pengesë për qasjen e institucioneve dhe të bizneseve kosovare në instrumentet e BE-së për zhvillim Ekonomik. 

Kryetari i kësaj ode, Lulzim Rafuna, në cilësinë edhe të Kryetarit të Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor, i ka dërguar letër Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke shprehur shqetësim për masat kufizuese. 

“Masat aktuale kufizuese pengojnë institucionet dhe sektorin privat të Kosovës që t’i aksesojnë vetë këto mjete. Si rezultat, ka ndodhur pezullimi efektiv i më shumë se 600 milionë eurove në projekte zhvillimore që mbulojnë mbrojtjen e mjedisit, sigurinë energjetike, digjitalizimin dhe infrastrukturën lokale. Për bizneset tona – shtyllën kurrizore të ekonomisë së Kosovës dhe shtytësin kryesor të prosperitetit, inovacionit dhe stabilitetit social – këto masa nënkuptojnë paaftësi për të marrë kredi, hua dhe grante thelbësore për rritje”, thuhet në letrën e OEK-ut drejtuar BE-së. 

Sipas letrës, masat jo vetëm që e minojnë kredibilitetin e vizionit strategjik të BE-së në Ballkanin Perëndimor, por edhe rrezikojnë ta dobësojë konsensusin pro-evropian mes aktorëve të sektorit privat që prej kohësh i kanë orientuar operacionet dhe pritshmëritë e tyre me agjendën e reformave të BE-së.

Bashkimi Evropian pati paralajmëruar se kufizimet ndaj Kosovës do të hiqen pas transferimit normal të pushtetit lokal në komunat veriore.

Pas përfundimit të procesit të dorëzimit të pushtetit lokal në veri, zyrtarë në BE kanë deklaruar se diskutimet për heqjen e masave do të rinisin vetëm pas formimit të qeverisë së re. 

E, në një takim të fundit, sipas burimeve të KOHËS, Franca dhe Italia, të mbështetura edhe nga Spanja, Hungaria e Sllovakia, e kanë kundërshtuar heqjen e masave, ndërsa së paku 13 shtete të tjera kanë kërkuar që ato të hiqen.