Arbëri

Nuk gjendet zgjidhje për punëtorët e sektorit privat në shkollat publike

Punëtorë teknikë të shkollave në Prishtinë refuzojnë ta vazhdojnë punën, po qe se nuk u gjendet zgjidhje për çështjen e pagesës së rrogave. Shkaku i mungesës së një baze ligjore për pagesa, këta punëtorë rrezikojnë që krahas shkurtit, pa paga të mbeten edhe në mars. Për gjetjen e një zgjidhjeje, ata të premten mbajtën takim me drejtoreshën për Arsim në Komunën e Prishtinës. Porse zgjidhje thanë se nuk iu bë as pas këtij takimi

Mungesa e një baze ligjore për pagesën e punëtorëve teknikë në gjashtë shkolla të kryeqytetit rrezikon që t’i lërë ata pa paga edhe gjatë muajit mars. Zyrtarë të Sindikatës së Sektorit Privat dhe përfaqësues të punëtorëve teknikë thanë se e morën këtë arsyetim gjatë takimit që e mbajtën të premten me drejtoreshën për Arsim në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati.

Takimi u zhvillua një ditë pasi që ata e ndërprenë punën, në shenjë pakënaqësie ndaj mospagesës së rrogave që nga shkurti, kur operatorit të angazhuar i skadoi kontrata.

E i pakënaqur me diskutimet u shpreh kryetari i sindikatave të pavarura të sektorit privat, Jusuf Azemi.

“Për të gjithë punëtorët të cilët janë vetëm të kompanisë dhe nuk kanë pasur ndonjë dokument zyrtar që janë të komunës kanë marrë një obligim, që ne po themi prapë nuk na kënaqi. Kanë marrë një obligim që në moment që vjen operatori i ri a vjen pas 10 apo 2 javë dite do ta thërrasim pronarin ose operatorin e ri dhe të gjithë punëtorët që kanë qenë në këto vende të tyre të punës t’i kthejnë, përndryshe në javën e ardhshme të gjithë punëtorët që kanë qenë më herët dhe pastaj janë privatizuar ata do të kthehen direkt nën menaxhim të Komunës së Prishtinës”, ka deklaruar ai.

Përfaqësues të punëtorëve teknikë në shkolla shprehën vërejtjen se takimi nuk u bëri zgjidhje problemit të tyre me pagat.

“Nuk është të them as grevë, por kjo ka qenë një lloj pakënaqësie e punëtorëve që kanë punuar një muaj ditë pa paga për hir të nxënësve, profesorëve, që mësimi të zhvillohet në kushte normale. Megjithatë, me takimin që e patëm, nuk na ofruan thuajse asgjë hiç, ata thonë me një fjalë kompanisë i ka skaduar kontrata, baza ligjore që i paguan nuk kemi – ditën e mirë”, tha Feim Bislimi, përfaqësues i punëtorëve teknikë në Shkollën Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”.

Idriz Makolli, përfaqësues tjetër i punëtorëve teknikë, tha se mospagesa ka ndikuar në gjendjen ekonomike të shumë prej tyre.

“Kjo është e vështirë e shumë e rëndë, njerëzit me mbetë pa punë. Janë 32 familje në përgjithësi, krejt kanë kredi, fëmijë është shumë e rëndë”, ka thënë ai.

Një ditë më parë, KOHA raportoi rreth telasheve të stafit teknik privat në shkollat e Prishtinës, si dhe për grumbullimin e mbeturinave nëpër shkolla, si pasojë e ndërprerjes së punës së tyre, në pakënaqësi ndaj mospagesës së rrogave.