Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

NPB-ja përplas asamblistët e Vetëvendosjes me krahun e Ahmetit

Ndërmarrja Publike Banesore është bërë shkak i përplasjeve mes anëtarëve dhe të larguarve nga Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës.

Përzgjedhja e anëtarëve të përkohshëm të bordit drejtues të Ndërmarrjes Publike Banesore nga dy anëtarët e Komisionit Komunal të aksionarëve, Dren Kukaj dhe Qendrim Sahiti, po konsiderohet në kundërshtim me ligjin nga ky subjekt politik.

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thonë se Kukaj ka nisur një sulm ndaj NPB-së, me qëllimin e vetëm për ta larguar shefin ekzekutiv të ndërmarrjes, Nexhat Kryeziu.

Por, pretendimet e Vetëvendosjes i mohon Dren Kukaj, i cili është edhe drejtor i Pronës në Komunën e Prishtinës.

Sipas Kukajt, ata zgjodhën bordin e përhershëm në mënyrë që të mos mungojë vendimmarrja në NPB.

E, shefi ekzekutiv i deritanishëm NPB-së, Nexhat Kryeziu, të cilit i ka përfunduar mandati në mars, i kontaktuar nga KTV-ja ka thënë se nuk e ka ndërmend të insistojë për pozitën e tij e as të konkurrojë sërish.

Edhe Gjoba 32-milionëshe për NPB-në përplas PDK-në e VV-në Arbëri 3 muaj më parë Gjoba 32-milionëshe për NPB-në përplas PDK-në e VV-në

Kryeziu është shprehur se ka përmbushur misionin e tij në ndërmarrje dhe lufta, sipas tij, që është duke u zhvilluar për NPB-në, nuk ka qenë e mirëpritur.

“NPB-ja ka qenë një nga ndërmarrjet më të suksesshme në vend dhe nxitimi i tyre për një bord të përkohshëm në momentin kur është shpallur një konkurs, përveç që është i paligjshëm është edhe joprofesional”, ka thënë Kryeziu.

Konkursi për zgjedhjen e katër anëtarëve të bordit është hapur më 22 mars dhe do të mbyllet më 21 prill.