Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kaosit në NPB s’ka kush i jep fund, VV me PSD-në shkëmbejnë akuza e MZHE e pafuqishme

Në mars të këtij viti kanë nisur e ende po vazhdojnë përplasjet dhe akuzat mes Partisë Socialdemokrate dhe Lëvizjes Vetëvendosje për Ndërmarrjen Publike Banesore, në kryeqytet.

Nexhat Kryeziu i Vetëvendosjes po vazhdon të ushtrojë detyrën e kryeshefit ekzekutiv pavarësisht se i ka përfunduar mandati, raporton “038” në KTV.

Ndërsa, në anën tjetër, të emëruarit Ushtrues Detyre të kryeshefit nga komisioni i aksionarëve me shumicë nga PSD-ja, Hajdar Hoxha, nuk po i lejohet hyrja në ndërmarrje.

Të dyja palët kanë interpretuar opinionin ligjor të MZHE-së në favor të tyre.

Ndërsa, ndërmarrja ka dy vula - të vjetrën dhe tjetrën që i emëruari ushtrues detyre e ka përdorur për t’i bllokuar disa prej xhirollogarive të ndërmarrjes.

Edhe Vetëvendosje e PSD-ja vazhdojnë betejën për kontrollimin e Ndërmarrjes Publike Banesore Video Vetëvendosje e PSD-ja vazhdojnë betejën për kontrollimin e Ndërmarrjes Publike Banesore

Përderisa vulën e dytë, asamblisti i VV-së, Egzon Azemi, aksionar në ndërmarrje, e cilëson vulë private aksionari tjetër nga PSD-ja, Dren Kukaj, thotë se ajo është legjitime.

Me gjithë bllokimin e disa prej xhirollogarive, Kukaj thotë punëtorët i kanë marrë pagat, përfshirë kryeshefin jashtë mandatit.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se nuk kanë kompetenca për t’i dhënë një epilog situatës ku të dyja palët kontestojnë legjitimitetin e njëra- tjetrës dhe në të njëjtën kohë ushtrojnë funksionin në mënyrë paralele.

“Komuna, si aksionare në Ndërmarrjet Publike Lokale, vepron duke ushtruar të drejtën e saj të aksionarit në NPL, duke pasur ekskluzivitetin në mbikëqyrjen e punës së Bordit të Drejtorëve në NPL, por duke pasur parasysh gjithmonë që veprimet dhe vendimet, t’i harmonizojnë me legjislacionin që rregullojnë funksionimin e NP-ve dhe legjislacionit tjetër që rregullon çështje specifike të ndërmarrjeve. Duke marrë parasysh argumentet si më sipër, lidhur me zhvillimet e fundit në Ndërmarrjen Publike Banesore, ju bëjmë me dije se MZHE-ja nuk ka mandat ligjor për trajtimin e kësaj çështjeje, sepse ligjërisht është ndërhyrje në mandatin e aksionarit në nivelin lokal”, ka thënë Naim Zeqiri nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Në Inspektoratin e Punës kanë njoftuar se e kanë nisur procedurën inspektuese dhe se brenda afatit ligjor do të dalin me një verdikt.

Pas 4 muajsh akuza për kapje e tentim kapje të ndërmarrjes, drejtuar njëra-tjetrës, tani VV e PSD shprehen të gatshme të bisedojnë për kompletimin e komisionit të aksionarëve përmes zgjedhjes së anëtarit të tretë – për të mundësuar daljen nga situata e krijuar.

Megjithëse e mirëpret ftesën e ish-partisë së tij për bisedime, Kukaj thotë se ata fillimisht duhet të vendosin për pozitën e tyre në Komunën e Prishtinës.

Edhe VV-ja do seancë të jashtëzakonshme për “skandalet në NPB” Arbëri VV-ja do seancë të jashtëzakonshme për “skandalet në NPB”

Egzon Azemi ka njoftuar se Vetëvendosje ka ngritur padi ndaj Dren Kukajt dhe ish-aksionarit të NPB-së, Qëndrim Sahiti.

Por, Kukaj thotë se nuk është i shqetësuar lidhur me këtë, pasi sipas tij, ai nuk ka bërë asnjë veprim të kundërligjshëm.