Arbëri

NPB-ja i quan deklarimet e Aliut të pavërteta e shantazhuese

Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Hajdar Hoxha, i ka quajtur deklarimet e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, si të pavërteta, shantazuese dhe kërcënuese.

Aliu kishte kërkuar hetim ndaj NPB-së lidhur me rrënimin e objektit në Lakrishtë.

Kishte thënë se NPB-ja po abuzon me pronën publike.

“Reagim ndaj deklarimeve të pavërteta, tejet shantazuese e kërcënuese të ministrit Liburn Aliu. Ishim dëshmitarë të një paraqitje tejet joprofesionale, thelbësisht joligjor, shantazuese e kërcënuese. Dua të theksor se me paraqitjen e tij z. Aliu në çdo veprim në ndërdijen e tij e theksoi se këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë shkelje ligjore nga NPB-ja, por kemi të bëjmë me një transparencë radikale në përgjithësi. Ka disa ministri të qeverisë që janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme, për të dëmtuar reputacionin e Ndërmarrjes Publike Banesore, përmes deklarimeve të tillave e sulmeve që po i bëjnë”, ka thënë Hoxha. “Po tentohet të dëmtohet imazhi i NPB-së e cila në kohën e fundit, rrjedhimisht prej që jemi në menaxhim, ka realizuar përfitime marramendëse duke kthyer të gjitha humbjet e akumuluara”.

Hoxha i ka thënë ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se ndërmarrja është ndërmarrje, dhe se avokati shtetëror nuk ka fushëveprim ta përfaqësojë ndërmarrjen për asnjë çështje.

Hoxha ka thënë se të gjitha procedurat janë ndjekur si duhet e nuk ka asnjë shkelje ligjore.

Ai thotë se kur ka marrë ndërmarrjen paga minimale e punëtorëve ishte 250 euro e tash është 400, ndërsa kanë edhe sigurim shëndetësor.

“Ky projekt që po flasim vërtetë është finalizu dhe ka marrë frymë në kohën tonë, por e vërteta është se ka filluar më herët. Është nisë në kohën kur z. Aliu ishte drejtor i Urbanizimit në Prishtinë. Por, s’kanë ditë me punu si duhet, kur kemi ardhur ne e kemi bërë formën më të mirë. Kërkoj nga Qeveria, rrjedhimisht nga këto ministritë përkatëse t’i ndalin sulmet dhe ndërhyrjet mbi NPB-në. Unë e kuptoj se jemi në fushatë zgjedhore dhe i kuptoj qëllimet e partive politike, por kjo është ndërmarrje publike, le të na lënë të punojmë si duhet. Nëse ka shkelje flagrante të ligjit dhe akteve ligjore, sigurisht ndaj tij dhe kujtdo qoftë do të ngrisim padi penale. Veprimin që do ta marrim do ta analizojmë me ekspertët ligjorë dhe do ta adresojmë te organet përkatëse”, ka thënë Hoxha në konferencë.

Hoxha ka thënë se janë kryer të gjitha çështjet dhe është e vërtetë se kur ka filluar rrënimi e ka prekur azbestin, por se po mundohen ne lokalizu. Mirëpo ai insiston se nuk ka shkelje të procedurave.