Për tri ditë e tri net e izoluar në dhomë të vetmisë te burgu i meshkujve kishte qëndruar e dëmtuara B.K., pasi ishte rrahur brutalisht nga gardianet e Burgut të Prishtinës gjatë vitit 1998, atëkohë e burgosur si aktiviste studentore.
Goditjet e shumta me shufër gome, që ajo i mori përshkruhen në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për ish-gardianen Nadica Çepkenoviq, që është e akuzuara e parë grua për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Në aktakuzë përshkruhet se si gardianet Suzana dhe Nadica Çepkenoviq për shkak të komunikimit që e dëmtuara B.K., bëri me një të burgosur tjetër i kushtoi asaj me lëndime të rënda në shpinë, kofshë dhe këmbë.
“E kishte pasur datëlindjen shoqja e saj, e cila ishte në një dhome tjetër, ku më 10 korrik 1998 e kishte marrë një letër të brendshme të paqetës së cigareve dhe i kishte shkruar ‘Urime shoqe datëlindjen, u bëfsh 121 vjet’ dhe ky urim ishte për shkak se ajo i mbushte 21 vjet. Me të parë gardianet këtë letër e kishin akuzuar se kinse e njëjta kishte shkruar lidhur me brigadën 121 të UÇK-së, që në atë kohe dëshmitarja as që e dinte se ekzistonte një brigadë e tillë. Pas kësaj e kishin marrë në pyetje Suzana dhe një gardian mashkull duke e akuzuar se ajo kishte lidhje me Brigadën 121 të UÇK-së, ku si shkak i kësaj me urdhër të Suzanes ishte rrahur disa herë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për Nadica Çepkenoviq.
Dhunë sistematike nga gardianet serbe kishte përjetuar edhe e dëmtuara A.N., e cila në dëshminë e saj në polici kishte përshkruar tmerrin e përjetuar.
“Ajo përmend edhe keqtrajtimet e të burgosurave të tjera, duke përfshirë gra të sëmura, shtatzëna dhe të mitura nga gardianet serbe, në veçanti gardianen me nofkën ‘Pipi’, për të cilën e jep edhe përshkrim fizik. Pas qershorit 1999 ishte transferuar në burgun e Pozharevcit, ku fillimisht kishte vazhduar keqtrajtimi, por pas ardhjes së Kryqit të Kuq kushtet ishin përmirësuar”, thuhet në aktakuzë.
Sipas dëshmive të dëshmitareve, edhe drejtori i burgut, Lubomir Çimburoviq, i cili po ashtu është i akuzuar për krime lufte është përfshirë në torturimin e të burgosurave shqiptare.
Për akuzën që ngarkohet, e pandehura Nadica Çepkenoviq është deklaruar e pafajshme në seancën e shqyrtimit fillestar, që është mbajtur të hënën.
E pafajshme ishte deklaruar edhe në deklaratën e dhënë në polici, ku kishte thënë se nuk ka pasur të maltretuar në burg dhe nuk e mban mend asnjë të burgosur shqiptar.