Një nga tetë emigrantët e dërguar në Shqipëri të premten, që u kapën në ujërat ndërkombëtare, është kthyer në Itali pasi u konsiderua “i cenueshëm”, ka njoftuar të shtunën një delegacion ligjvënësish italianë që e vizituan qendrën.
Egjiptiani u diagnostikua me “probleme psikike”, gjë që e bëri të pamundur qëndrimin e tij në qendrën e pritjes në Gjadër, raportoi “AP News”.
Aktualisht vetëm shtatë emigrantë – pesë nga Bangladeshi dhe dy nga Egjipti – mbeten në qendrën në Shqipëri.
Ky ishte grupi i dytë i emigrantëve që është dërguar në qendrat e pritjes në Shqipëri, sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë vitin e kaluar.
Marrëveshja, e cila është kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut dhe organizatat qeveritare, lejon që deri në tre mijë emigrantë që kapen nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj, të strehohen në Shqipëri dhe të verifikohen për azil të mundshëm në Itali ose të kthehen në vendet e tyre.
Grupi i parë prej 16 emigrantësh nga Bangladeshi dhe Egjipti u transferua në Shqipëri më 16 tetor.
Katër u dërguan në Itali po atë ditë sepse ishin të mitur apo kishin probleme shëndetësore.
Dymbëdhjetë të tjerë u kthyen në Itali tre ditë më vonë, pas një vendimi të gjykatësve të Romës, të cilët refuzuan ndalimin e tyre sepse vendet e tyre të origjinës nuk ishin mjaft të sigurta për t'u kthyer.
Të hënën pritet një vendim i gjyqtarëve të Romës për ndalimin e shtatë emigrantëve që ndodhen aktualisht në Shqipëri.