Arbëri

Një autobus me udhëtarë nga Kosova aksidentohet në Gjermani, 30 të lënduar

gjermani

Foto: Thomas Gaulke (Rosenheim24.de)

30 udhëtarë janë lënduar pasi një autobus nga Kosova që po transportonte udhëtarë drejt Mynihut është aksidentuar me një kamion në Gjermani.

Siç raportojnë mediat gjermane, aksidenti ka ndodhur gjatë natës derisa në autobus ishin rreth 50 pasagjerë. Dy prej të lënduarve raportohet se janë në gjendje të rëndë.

Rosenheim 24 raporton se autostrada u mbyll plotësisht në drejtim të Mynihut për rreth dy orë.

Kamioni, i drejtuar nga një polak 46-vjeçar, që po barte perime po udhëtonte drejt Mynihut gjithashtu.

“Autobusi, që transportonte pasagjerë nga Kosova, u përplas me pjesën e pasme të rimorkios pavarësisht manovrave të shmangies. Pjesa e përparme e autobusit u ngjit në kamion dhe pësoi dëme të mëdha. Rimorkioja u dëmtua gjithashtu rëndë”, raporton media gjermane.

Kamioni që u aksidentua me autobusin

Sipas policisë, 30 persona u lënduan në aksident. Dy pasagjerë u shtruan në spital dhe katër të tjerë u transferuan në klinika për vlerësim të mëtejshëm.

E kompania "Dubova Reisen" ka konfirmuar se një autobus i saj, me udhëtarë nga Kosova u aksidentua në Gjermani në orët e para të 20 gushtit. Nga kjo kompani thanë se vetëm tre pasagjerë kanë pësuar lëndime.

“Fatmirësisht, pasagjerët janë mirë, vetëm tre nga ta janë me lëndime të lehta për shkak të dëmtimit të xhamave. Aksidenti ndodhi rreth orës 00:30. Autobusi ishte në trasen e tij, një makinë ka ardhur nga e majtë, nga ana e shoferit, duke ia humbur drejtimin”, thanë nga kjo kompani për Radion Evropa e Lirë.

Foto: Thomas Gaulke