Arbëri

Një aksident ia mori Pejës edhe semaforin e fundit që kishte

Prej mesnatës së kaluar, qyteti i Pejës ka mbetur pa asnjë semafor. Megjithëse edhe ky i fundit që gjendej në udhëkryqin në qendër të qytetit, nuk ka qenë funksional prej vitit 2014, dhe kishte mbetur si dekor në trotuar, ai është çrrënjosur nga një makinë e përfshirë në një aksident që ka ndodh mesnatën e kaluar.

“Aksidenti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 23.50. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy makina. Njëra nuk ka ndaluar dhe tjetra e ka goditur. Përveç dëmeve materiale, të lënduar rëndë nuk ka pas. Shkaktar i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i policisë në Pejë, Fadil Gashi.

E nga përplasja mes dy makinave kishte pësuar edhe semafori, të cilin sot Drejtoria e Shërbimeve Publike e ka larguar, por në vend të tij nuk besohet se do të vendoset tjetri.

“Kemi dy-tri projekte ideore dhe varet se cili i përshtatet atij udhëkryqi. Sivjet nuk do të merremi me atë udhëkryq, por besoj vitin e ardhshëm”, ka thënë drejtoresha e Shërbimeve Publike, Xhevahire Çeku-Kelmendi.

Në qytetin e Pejës semaforët janë vendosur në vitet e ’80-ta, në udhëkryqin te rrokaqielli, të cilët janë larguar kur është ndërtuar rreth-rrotullimi rrugor. Kurse në udhëkryq ku kishte mbetur semafori i vetëm, semaforët janë rinovuar në vitin 2009, por në vitin 2014 me vendim të kryetarit të Komunës, janë nxjerrë nga funksioni, pavarësisht se çdo ditë krijohen radhë të gjata të makinave në të tri rrugët që lidhen në atë udhëkryq. Arsyeja e nxjerrjes jashtë funksioni të këtij semafori viktimë e aksidentit, ka qenë, siç kishte thënë shefi i kabinetit të kryetarit, Durim Sheremeti, kostoja e lartë prej rreth 16 mijë euro për mirëmbajtje gjatë një viti.