I akuzuari për “Spiunazh” dhe “Shantazh”, Fatmir Sheholli ka dalë sot para Gjykatës.
Në seancë mungon i dëmtuari Nenad Rashiq. Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla tha se Rashiqi e ka njoftuar Gjykatën për mungesën e tij.
“I njëjti është ftuar në seancë, dhe jemi njoftuar që gjendet jashtë vendit dhe e ka të pamundur të marrë pjesë në seancën e sotme”.
Në seancën e sotme priten fjalët hyrëse.
Me pëlqimin e palëve në procedurë u konsiderua e lexuar aktakuza. I akuzuari u deklarua përsëri i pafajshëm.
Edhe
Fatmir Sheholli mohon fajësinë për spiunazh në favor të Serbisë
Edhe më 7 shtator, në seancën fillestare, Fatmir Sheholli qe deklaruar i pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohet.
Prokuroria Speciale më 25 gusht 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për dy vepra penale, ndërsa prokurori Bekim Kodraliu ka lexuar një pjesë të aktakuzës.
Prokuroria pretendon se Sheholli ka qenë i rekrutuar nga shërbimi serb “BIA” dhe në vazhdimësi dhe me dashje direkte, ka vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara.
“I pandehuri Fatmir Sheholli, nga një datë e papërcaktuar e deri më datë 09.10.2025, në territorin e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi dhe me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – (i njohur si ‘BIA’), e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga zyrtari i lartë i saj, Bojan Dimiq, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, ashtu që i pandehuri Sheholli, ka mbledhur, siguruar dhe, përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike, ka përcjellë te ky zyrtar të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kodraliu.
Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ka zbatuar edhe një plan operativ të përgatitur nga zyrtari i BIA-s, Bojan Dimiq, i cili, sipas Prokurorisë, kishte për qëllim dëmtimin e interesave të Kosovës dhe ndërhyrjen në procesin zgjedhor të 12 tetorit 2025.
Edhe
Sheholli deklarohet i pafajshëm, Prokuroria: Vepronte me urdhra të BIA-s
Sheholli është arrestuar më 9 tetor të vitit të kaluar dhe që atëherë ndodhet në paraburgim.
Ai ka punuar si gazetar, këshilltar në Komunën e Graçanicës dhe në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete. Gjithashtu, ka udhëhequr një organizatë joqeveritare dhe ka pasur paraqitje të shumta mediale si analist politik.