Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fatmir Sheholli për dy vepra penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Sipas aktakuzës,Sheholli nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.
Ai akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Sheholli akuzohet për veprën penale “Shantazh”, pasi gjatë vitit 2022 deri në dhjetor 2025, e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13,000.00 euro.
Sipas aktakuzës, Sheholli i ka kërkuar të dëmtuarit para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit.
Rasti i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit.
PSRK: Sheholli tentoi të ndikojë në zgjedhje dhe planifikoi zbrazjen e Kosovës përmes radikalizimit islam
Me qëllim ndërhyrjen në zgjedhje lokale te komuniteti serb, Agjencia për Siguri dhe Inteligjencë e Serbisë – BIA, ia kishte dhënë 5 mijë euro dhe disa materiale audio Fatmir Shehollit, pretendon Prokuroria Speciale në aktakuzën e ngritur ndaj tij të martën.
Në dokument thuhet se me qëllim diskreditimin, BIA i dha Shehollit, pak ditë para zgjedhjeve lokale të mbajtura vitin që shkoi, materiale që përmbanin biseda me zë dhe të transkriptuara të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, e udhëhequr nga Nenad Rashiq, rival i Listës Serbe.
Detyra e Shehollit, sipas prokurorisë, ishte publikimi i materialeve në mediat në Kosovë. Qëllim të cilin thuhet se i akuzuari për spiunazh e ka arritur.
“Në zbatim të udhëzimeve të marra nga zyrtari i lartë i BIA-s, materialet ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me shumën prej 1.000 eurove, duke e udhëzuar njëkohësisht edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin e tij ‘Pa Rrotlla’ dhe atë vetëm disa ditë para ditës së votimit në zgjedhjet lokale, çka përmes këtyre veprimeve konkrete të ndërmarra në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, i pandehuri Milaim Zeka, ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës”, thuhet në aktakuzë.
Në dokument figuron se Sheholli, gazetarit Zeka i ka thënë se materialin e ka siguruar nga Agjencia Gjermane për Zhvillim – GIZ.
Lidhur me këto pretendime, Prokuroria posedon foto, incizime e prova të tjera të siguruara përmes masave të veçanta si monitorimi e përgjimi i të akuzuarit.
Në telefonin e Shehollit, Prokuroria ka gjetur një fotografi me mbishkrimin “Top Sekret 2” e cila përmban një tekst në gjuhën serbe, që sipas prokurorisë, është plan veprimi që synon ta paraqesë Kosovën si shtet të radikalizuar dhe ekstremist.
“Pasi të bëjmë marrëveshje me operativet tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd, shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive. Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër autoudhave, shkollave, qendrave tregtare, ndërsa xhamitë në fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen”, thuhet në aktakuzë.
Në këtë dokument konfidencial, thuhet se në Kosovë duhet të krijohet atmosfera që njerëzit të ndihen sikur po jetojnë në shtet të huaj, ku një pjesë e të rinjve të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë të vendosin për fenë islame.
Në dokument thuhet se qëllimi është të ndryshojë mendimi i fuqive perëndimore për Kosovën dhe kështu të mundësohet që vendi të kthehet nën juridiksionin e Serbisë.
Në aktakuzë përshkruhet edhe një dokument i quajtur “Leptiri” të cilin e ka gjetur prokuroria në telefonin e Shehollit
“Bëhet fjalë për një dokument të përpiluar nga struktura e Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë. Sipas përmbajtjes së dokumentit, parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri” për sigurimin e materialeve komprometuese, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj tij për bashkëpunim me RDB-në."
Përpos për spiunazh, PSRK-ja e mban përgjegjës Shehollin edhe për veprën penale “Shantazh”.
Sipas aktakuzës, Sheholli posedonte video-incizime të një biznesmeni kosovar përmes të cilave e shantazhonte duke i kërkuar të holla që kalonin shumën e 13 mijë eurove.
Sheholli është arrestuar më 9 tetor të vitit të kaluar dhe që atëherë ndodhet në paraburgim.
Ai ka punuar si gazetar, këshilltar në Komunë të Graçanicës, dhe në Ministrin për Kthim, gjithashtu ka udhëhequr një organizatë joqeveritare madje ka edhe paraqitje të shumta mediale si analist politik.
Sheholli mbante shënime edhe për infrastrukturën kritike të Kosovës, përfshirë Ujmanin
Në aktakuzën e ngritur për spiunazh dhe shantazh nga Prokuroria Speciale e Kosovës për Fatmir Shehollin, përmendet edhe që janë evidentuar 22 fletore të vogla, të llojeve të ndryshme në të cilat ka dorëshkrime në gjuhën shqipe dhe serbe.
Sipas aktakuzës të siguruar nga KOHA, në shënime janë gjetur informacione që lidhen me aktivitetet e institucioneve të sigurisë serbe, masat e vëzhgimit ndaj personave politike shqiptare e po ashtu edhe të dhëna që lidhen me infrastrukturën kritike, përfshirë Digën e Ujmanit.
Tutje thuhet se nga analizimi i tyre vërehet që Sheholli ka mbajtur shënime të shumta edhe në lidhje me çështje të sigurisë, politike dhe informacione konfidenciale, duke evidentuar emra personash, numra telefoni e kalkulime financiare.
“Megjithatë, nga analizimi i fletoreve të sekuestruara nga i pandehuri Fatmir Sheholli rezulton se ai ka mbajtur shënime të shumta që lidhen me çështje të sigurisë, politikës dhe informacione konfidenciale, duke evidentuar emra personash, numra telefoni, të dhëna operative dhe kalkulime financiare, e që janë forma tipike të spiunimit. Në shënime janë gjetur informacione që lidhen me aktivitetet e institucioneve të sigurisë serbe, masat e survejimit ndaj personaliteteve politike shqiptare, veprimtarinë e agjentëve serbë, si dhe të dhëna që lidhen me infrastrukturën kritike, përfshirë Digën e Ujmanit”, thuhet tutje.
Po ashtu, janë evidentuar shënime me referenca të drejtpërdrejta ndaj BIA-s, ngjarjeve të sigurisë kombëtare dhe personave të profileve të ndryshme vendore, serbe dhe ndërkombëtare. Përmbajtja e këtyre shënimeve tregon interesim të vazhdueshëm të të pandehurit për mbledhjen, ruajtjen dhe sistemimin e informacioneve të natyrës së sigurisë, të cilat për nga karakteri dhe përmbajtja konfirmojnë se i pandehuri ka ndërmarrë veprime të spiunazhit.
“Pranimi i këtyre pagesave periodike nga institucione shtetërore serbe që direkt janë të lidhura me BIA-në, i lidhur me angazhimin dhe veprimtarinë e të pandehurit, përbën fakt notor që dëshmon financimin dhe angazhimin e tij në interes të një shteti të huaj, konkretisht nga Serbia dhe në ndërlidhje me provat e tjera të rastit vërtetohet edhe përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri ka ndërmarr veprimtari spiunazhi në dobi të BIA-së e në dëm të interesave të Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.
Sheholli shpërndau dokumentin e përpiluar nga Serbia që synonte rekrutimin e Kurtit përmes presionit sa ishte në burg
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fatmir Sheholli për dy vepra penale, “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Në aktakuzën e siguruar nga KOHA, tregohet se në telefonin e të akuzuarit Sheholli është gjetur një dokument i emërtuar “Leptiri”, i cili ishte përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë në vitin 2001 dhe i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e tashmë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë.
Me anë të atij materiali, synohej ushtrimi i presionit ndaj Kurtit për bashkëpunim me RDB-në.
“Nga analiza e dëshmisë Z#4.1, përkatësisht dokumentit të emërtuar ‘Leptiri’, të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, rezulton se bëhet fjalë për një dokument i përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë. Nga analizimi i komunikimeve të nxjerra nga telefoni i të pandehurit rezulton se ai e ka përcjellë këtë dokument te persona të ndryshëm, si dhe ka kërkuar përkthimin e tij nga gjuha serbe në gjuhën shqipe. Këto veprime, të vlerësuara së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të evidentuara në telefonin e të pandehurit, janë relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura”, thuhet në aktakuzë.
Nga hetimi sipas aktakuzës, rezulton se Sheholli këtë dokument e ka përcjellë te persona të ndryshëm si dhe ka kërkuar përkthimin e tij nga gjuha serbe në gjuhën shqipe. Sheholli këtë dokument, sipas aktakuzës dhe siç ka pretenduar, ia ka dërguar "Milazim Gashit, një mikut tim i cili është në SHISH të Shqipërisë me emrin Dritan Gjoni – shef i SHISH-it në Durrës, ja ka dërguar Blerim Canajt dhe një personi me emrin Bashkim Pushkolli, por nuk jam i sigurt a ia kam dërguar”.
Bazuar në komunikimin në Facebook, Sheholli ia ka dërguar dokumentin Canajt më 26 mars të vitit 2024.
“Këto veprime, të vlerësuara së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të evidentuara në telefonin e të pandehurit, janë relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura”, thuhet mes tjerash në aktakuzën e siguruara nga KOHA në pjesën ku flitet për Kurtin.
Tutje thuhet se kjo dëshmi e sekuestruar nga Sheholli është dokument i nënshkruar nga shefi i sektorit III të Sigurimit Shetëror Serb (RDB).
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se nga vetë dëshmia e të pandehurit vërtetohet se “nga është prejardhja e këtij dokumenti?
- I pandehuri: Kete dokument ma ka dergu Bojan Dimic ne telefonin tim.
- Prokurori: Kujt ia keni shprëndarë dokumentin “ Leptiri” që e keni marrë nga Bojan Dimic?
- I pandehuri: Kete ia kam dergu Milazim Gashit, nje mikut tim i cili eshte ne SHISH te Shqiperise me emrin Dritan Gjoni – Shef i SHISHIT në Durres, ja kam dergu Blerim Canaj dhe nje personi me emrin Bashkim Pushkolli por nuk jam i sigurte a ia kam dergu.
Kurti u arrestua më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri më 2 maj 1999 ishte në burgun e Prishtinës. Nga 2 maji deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Nga 10 qershori deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit. Prej aty u transferua në burgun e Nishit ku qëndroi deri më 7 dhjetor të vitit 2001.
Dokumenti i gjetur në telefonin e Shehollit, synimi i Serbisë për zbrazjen e Kosovës përmes radikalizimit islamik
Prokuroria Speciale e Kosovës të martën ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Sheholit për spiunazh dhe shantazh.
Në mesin e dëshmive të përfshira në aktakuzë, të cilën e ka siguruar KOHA, është edhe një dokument “Top Secret 2” që është gjetur ne celularin e Shehollit, e që synim ka zgjerimin e ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon.
Në atë dokument, të cilin Sheholli më 5 gusht të vitit 2025 ia ka dërguar një personi me emrin Viktor Makedonija, tregohet plani për ndërtimin e xhamive në vende të dukshme në afërsi të autoudhëve, shkollave, qendrave tregtare dhe po ashtu të trefishohet numri i xhamive në fshatrat e mëdha. Po ashtu kërkohet që edhe medreset të shtrihen në gjithë vendin. Xhamitë, sipas dokumentit, do të ndërtoheshin me fonde të mbledhura "nga ambasadat islamike në Beograd".
“Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë që sa më shumë të inkuadrojnë njerëz me kombësi shqiptare me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë. Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islam të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami. Ne vendet perëndimore janë deleguar njerëzit tanë nga bashkësitë islame nga Kosova dhe Sanxhaku të cilët janë nën urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë. Me këtë do te arrijmë që t’i ndajmë shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shteti kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë shqiptarët më të pasur dhe me të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën”, thuhet në dokument.
Sipas dokumentit synimi është që në Kosovë të krijohet atmosfera që njerëzit të ndihen sikur po jetojnë në një shtet të huaj, e në këtë mënyrë një pjesë e rinisë të ikë jashtë dhe një pjesë tjetër të vendosë për fenë islame.
“Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perëndimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do te vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë. Kur kjo të arrihet Serbia do t’i ketë duart e lira të përsërisë përndjekjen e shqiptarëve në Turqi, mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke ju ofruar super kushte për migrim në Turqi. Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”, thuhet në dokumentin.
Prokuroria pretendon se përmbajtja e këtij dokumenti, e parë në ndërlidhje me provat e tjera të administruara, është relevante për të dëshmuar natyrën e kontakteve dhe veprimtarisë së të pandehurit në raport me strukturat e shërbimit informativ serb BIA.