Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nis mbajtja e provimeve pranuese, nuk respektohen masat anti-COVID

Procesi i mbajtjes së provimeve pranuese ka filluar sot në tri fakultete të Universitetit të Prishtinës. Por edhe me gjithë gjendjen, për këtë proces nuk ka pasur koordinim në mes të Rektoratit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit. Kjo e fundit ka thënë se marrja e masave për këtë gjë nuk është përgjegjësi e tyre

Ka filluar mbajtja e provimeve pranuese në Universitetin e Prishtinës në Drejtimin e Ndërtimtarisë, të Edukimit Fizik dhe Sportit dhe në atë të Arkitekturës. Në disa nga sallat ku është mbajtur provimi nuk janë respektuar masat e fundit, pasi ka pasur më shumë se 30 persona.

Me vendimin e fundit të ekzekutivit nuk lejohen më shumë se 30 persona në hapësira të mbyllura.

“Lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në tridhjetë (30) persona (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime, ngjarje kulturore). Organizatori obligohet ta sigurojë distancën fizike prej 1.5 metrash në mes të personave”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Drejtuesit e Fakultetit të Arkitekturës kanë thënë se janë respektuar masat anti-COVID.

“Sallat janë të mëdha, është respektuar dy metra distancë mes studentëve. P.sh. sallat alokojnë deri në 120 studentë, mirëpo për shkak të respektit të masave ato kanë ra në numër 60”, ka deklaruar Violeta Nushi, dekane e Fakultetit të Arkitekturës

Edhe Nxënës të 5-sheve dështojnë t’i zgjidhin detyrat e provimit për t’u pranuar në UP Arbëri Nxënës të 5-sheve dështojnë t’i zgjidhin detyrat e provimit për t’u pranuar në UP

Prorektorja Mimoza Ibrani ka thënë se masat e njëjta pritet të zbatohen edhe për afat të shtatorit.

“Komisioni për emergjenca dhe task-forcat anti-COVID janë duke e përcjellë në baza ditore situatën epidemiologjike dhe sigurisht varësisht prej situatës epidemiologjike do të dalin me rekomandimet përkatëse. Për momentin, për afatin e shtatorit mbesin këto masa të cilat janë duke u aplikuar edhe për provime pranuese deri në njoftimet e radhës”, ka thënë Mimoza Ibrani, prorektore për mësimdhënie dhe çështje për studentë.

Mbajta e provimit ka nxjerrë në pah moskoordinimin mes Rektoratit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit. Madje kjo e fundit për KOHËN ka thënë se vendosja e masave për një proces të tillë nuk është përgjegjësi e tyre.

KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me MSH-në, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa nga Rektorati kanë pranuar se nuk ka pasur bashkëpunim me MSH-në për këtë proces.

Edhe Studentët kërkojnë nga Rektorati që vlerësimi e rivlerësimi të bëhen në të gjitha njësitë LAJMET E MBRËMJES Studentët kërkojnë nga Rektorati që vlerësimi e rivlerësimi të bëhen në të gjitha njësitë

“Njësitë akademike përmes Komisionit për Emergjencë në nivel të Rektoratit dhe në nivel të task-forcave anti-COVID-19 në njësi akademike u kanë rekomanduar personelit akademik dhe atij administrativ të studentëve t’i zbatojnë rekomandimet të cilat janë në vendimet e fundit të organeve kompetente, siç janë IKSHP-ja dhe Qeveria, pra inkurajojmë vaksinimin, të respektohet distanca fizike, maskat të jenë obligative nga personeli akademik, ai administrativ dhe nga studentët”, ka theksuar Mimoza Ibrani, prorektore për mësimdhënie dhe çështje për studentë.

Provimet pranuese në degët e tjera të UP-së do të vazhdojnë të mbahen deri më 4 shtator.