Qendra e Studentëve ka hapur konkurs për pranimin e katër mijë studentëve dhe si kriter ka vendosur vaksinimin ose testimin periodik çdo tri ditë. Studentët thonë se nuk ndihen të rrezikuar nga numri i madh i të pranuarve. Ndërsa Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka thënë se janë në pritje të rekomandimeve të MSH-së dhe IKSHPK-së për mënyrën se si do të fillojë viti i ri akademik
Shumë studentë prisnin të mërkurën tek objekti i Qeverisë për të marrë dokumentin që vërteton se janë familjarë të veteranëve të luftës. Vërtetimet, thonë ata, u ndihmojnë që të pranohen më lehtë në konkursin që ka hapur Qendra e Studentëve për akomodimin dhe ushqimin e tyre.
“Isha t’u prit për 20 minuta, ishte çdo gjë në rregull. Po pres për dokumentin për veteran të luftës domethënë vërtetimin që jam familjar i veteranit”, ka thënë Qëndrim Gashi, student i Fakultetit të Filologjisë, Dega e Gjuhës Shqipe.
Për të njëjtën arsye aty ishte edhe Adrian Visha.
“Vërtetim për veteran të luftës, sot bëhen dy ditë. Dje kam ardhur, por dolën në pauzë e nuk munda me prit..., e sot i njëjti problem”, tha Adrian Visha, student i Fakultetit të Filologjisë, Departamenti Gjuhë Angleze
Qendra e Studentëve ka hapur konkurs për 4.000 studentë, numër ky i njëjtë me kapacitetin që ka pasur kjo qendër para pandemisë. Si kusht për pranim, me rekomandim të IKSHPK-së, kanë vendosur kartelën e vaksinës ose testin PCR, i cili do të kërkohet çdo tri ditë.
Studentët thonë se nuk ndihen të rrezikuar nga personat e tjerë me të cilët do të bashëkjetojnë nëpër dhoma.
“Jo, nuk ndihem i rrezikuar. Jam vaksinuar dhe mendoj që s’është problem nëse vaksinohen të gjithë”, tha studenti i Departamentit të Gjuhës Angleze.
Frikë nga mundësia e infektimit nga COVID-19 nuk po ndien as Qëndrim Gashi, student i Departamentit të Gjuhës Shqipe.
“Faktikisht ne nuk kemi nevojë m’u ndie të rrezikum. Çdo student do të jetë i vaksinum ose çdo tri ditë duhet ta paraqesë dëshminë që nuk është pozitiv”, tha Gashi.
Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka thënë se janë në pritje të rekomandimeve të MSH-së dhe IKSHPK-së për mënyrën se si do të fillojë viti i ri akademik.
E zyrtarë të Qendrës së Studentëve kanë thënë se edhe forma e mësimit online mund të zhvillohet dhe numri i studentëve të pranuar nuk e pengon atë meqë ka edhe hapësirat për studim. Ata kanë shtuar se masat janë marrë edhe për rastet kur studentët mund të rezultojnë pozitivë.
“Ne si Qendër e Studentëve konform Udhëzuesit marrim masat tona. Fillimisht izolohet në dhomë të posaçme, kontrollohet nga organet mjekësore kompetente dhe më tutje veprohet sipas udhëzimeve të mjekut, pra dërgohet në shtëpi. Studenti mund të kthehet në konvikt në bazë të rekomandimit të mjekut, kur ai është shëruar plotësisht”, tha Shyhrete Abdullahu nga Qendra e Studentëve.
KOHA ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë të dijë nëse kanë ndonjë të dhënë se sa persona nga mosha 18-25 janë të vaksinuar deri më tani, por ata nuk kanë marrë përgjigjeje.