“Jemi në bisedime e sipër me institucionet shëndetësore, se a duhet të jetë apo jo kriter libreza, apo pasaporta e vaksinimit siç thuhet tash. Dhe në rast se merret një vendim se edhe libreza e vaksinimit duhet të jetë kriter, atëherë me rastin e aplikimit për pranim në Qendrën e Studentëve, studentëve do t’u kërkohet të jenë të vaksinuar”, ka thënë Fatmir Sfishta, drejtor i Qendrës së Studentëve
Me afrimin e fillimit të vitit të ri akademik, në Qendrën e Studentëve ka filluar rinovimi i objekteve të konvikteve dhe po bëhen përgatitjet e nevojshme për pritjen e studentëve. Por, ka mundësi që për studentët përfitues të ketë një kriter – vaksinimi kundër COVID-19.
Kjo nuk është vendosur ende, por nuk përjashtohet si mundësi.
“Jemi në bisedime e sipër me institucionet shëndetësore, se a duhet të jetë apo jo kriter libreza, apo pasaporta e vaksinimit siç thuhet tash. Dhe në rast se merret një vendim se edhe libreza e vaksinimit duhet të jetë kriter, atëherë me rastin e aplikimit për pranim në Qendrën e Studentëve, studentëve do t’u kërkohet të jenë të vaksinuar”, ka thënë Fatmir Sfishta, drejtor i Qendrës së Studentëve.
Për shkak të gjendjes epidemiologjike në vend, ai ende nuk e di se me çfarë kapacitetesh do të fillojë puna këtë vit. Thotë se Qendra është në pritje të një vlerësimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.
“Shpresojmë që të krijohen rrethanat shëndetësore e t’i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet prej 4 mijë shtretërish, mirëpo varet se çfarë vlerësimi do të bëjnë institucionet shëndetësore dhe ne ashtu do të veprojmë. Në rast se na diktohet që të pranojmë një student një dhomë, atëherë kapaciteti është 1.600 dhoma me 1.600 studentë”, ka shtuar ai.
Gjithsesi, ai u ka bërë thirrje studentëve që të vaksinohen, edhe nëse nuk do të jetë kriter për pranim, pasi sipas tij, Qendra e Studentëve është banim kolektiv dhe mundësia e përhapjes së koronavirusit është e madhe.
KOHA është munduar të kontaktojë me IKSHPK-në për të marrë informacione në lidhje me studentët dhe Qendrën e Studentëve, por nuk ka marrë përgjigje gjatë së dielës.
Edhe
Të gjithë banorët e Qendrës së Studentëve të vaksinuar
Ndërkohë, Sfishta ka folur edhe për punimet dhe përgatitjet rreth konkursit që po bëhen.
“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, në fakt janë në përfundim e sipër dhe në momentin që Universiteti i Prishtinës na jep një sinjal neve, e hapim konkursin”, ka thënë Sfishta.
Në fakt, konkursi për pranim të studentëve në Qendrën e Studentëve pritet të hapet pas publikimit të rezultateve të provimeve pranuese nga Universiteti i Prishtinës.