Arbëri

Ngriten dyshime se ish-dëshmitari bashkëpunues në rastin e 400 kg kokainë, u ndikua kundërligjshëm

Në gjykimin ku pesë të pandehur akuzohen për krim të organizuar lidhur me shitblerjen e 400 kilogramëve kokainë, prokurori special propozoi që të administrohet si provë materiale deklarata e zyrtarit korrektues, i cili kishte deklaruar se e ka dëgjuar të akuzuarin Izet Sheqiri duke komunikuar me të akuzuarin Kadri Sheqiri. Mbrojtja e kundërshtoi ashpër këtë propozim e gjykata e aprovoi propozimin e mbrojtjes për të mos e pranuar si provë dorëshkrimin e gardianit

Dyshime për ndikim tek i akuzuari Kadri Sheqiri kanë shprehur si avokati i të akuzuarit kryesor në këtë rast ashtu edhe Prokuroria Speciale, në gjykimin e pesë të pandehurve për krim të organizuar lidhur me trafikimin e 400 kilogramëve kokainë nga Brazili. 

Pronari i “MC Foods”, Izet Sheqiri, menaxheri Faton Vrajolli, komercialisti Kadri Sheqiri, depoisti Kadri Brahimi dhe shoferi Fehmi Bytyqi akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal, lidhur me veprën penale shitje, blerje ose posedim të 400 kilogramëve kokainë që ishin të fshehura në mish të procesuar pule, që njihet si “chicken nuggets”. 

Avokati i Kadri Sheqirit, Xhafer Maliqi, tha se ai e ka këshilluar të deklarohet, porse klienti i tij ka vendosur ta bëjë të kundërtën. 

“E kam vizituar të shtunën e kaluar dhe e kam udhëzuar që është në interesin e tij të deklarohet”, tha Maliqi.  

E avokati Korab Sejdiu, që mbron pronarin e “MC Foods”, Izet Sheqiri, hodhi dyshime se ish-dëshmitari bashkëpunues i prokurorisë, Kadri Sheqiri, i cili ishte komercialist në këtë kompani, është ndikuar kundërligjshëm në qendër të paraburgimit për të vepruar kundër interesave të tij ligjore. 

“Është shumë e dyshimtë që çfarëdo deklarate, nëse vërtet çfarëdo deklarate është pa shtrëngim. Siç e kemi parë se si janë sjellë prokuroria dhe hetuesia në këtë rast, ne kemi dyshim që edhe pas tërë tentativave të Kadriut që të ballafaqohet me prokurorinë, tash përnjëherë po përdor terminologji që nuk i ka mësuar avokati që të mbrohet në heshtje. Kemi dyshim që dikush mund të ketë ndikuar në të drejtën e tij për t’u deklaruar”, tha Sejdiu. 

Edhe Prokuroria Speciale hodhi dyshim për ndikim të padrejtë tek i akuzuari Kadri Sheqiri. 

Prokurori special, Valdet Gashi, propozoi që t’i administrojë si prova deklaratat e të akuzuarit sa ishte dëshmitar bashkëpunues, si dhe një shënim të një gardiani për eprorin e tij, ku shkroi se ka dëgjuar gjatë ndërrimit se Kadri Sheqiri ka biseduar me Izet Sheqirin në qendër të paraburgimit.

“E vërteton faktin se i pandehuri Kadri Sheqiri ka diskutuar me të pandehurin Izet Sheqiri derisa kanë qenë në masën e paraburgimit. Kjo provë pasqyron gjendjen e njëjtë faktike dhe mbështet edhe provën tjetër materiale respektivisht raportin mbi zbatimin e masave të fshehta të datës 28.02.2022”, tha Gashi.

Mbrojtja e kundërshtoi ashpër këtë propozim duke argumentuar se pranimi i këtij propozimi do ta zvarriste procesin gjyqësor. Gjykata e aprovoi propozimin e mbrojtjes për të mos e pranuar si provë dorëshkrimin e gardianit. 

“Refuzohet propozimi i prokurorit special që të administrohet si provë deklarata e Dardan Llumnicës e datës 18.08.2021. Sa u përket deklaratave të të pandehurve, si dhe a janë marrë në mënyrë ligjore gjatë hetimeve, të gjitha këto deklarata mbesin pjesë e provave të lëndës, respektivisht janë prova të pranueshme për të cilat në kuptim të dispozitave ligjore do të vlerësohet në rastin e këshillimit dhe votimit”, tha kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni. 

Arrni, që është edhe kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë tha se prokurori Gashi përmendi po ashtu faktin se dy të pandehurit, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, janë dënuar me burgim efektiv për ndikim të kundërligjshëm tek i akuzuari Kadri Sheqiri.

Për drogën në vlerë rreth 20 milionë euro, që u kap katër vjet më parë në Lipjan, akuzohen Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi. 

Në bazë të aktakuzës, drejt kompanisë “MC Foods” janë nisur edhe dy dërgesa të tjera me kokainë, por nuk kanë arritur në Lipjan. Krahas 400-kilogramëshit, në bazë të aktit akuzues, drejt Kosovës nga Brazili ishin nisur edhe një dërgesë prej 109 kilogramësh kokainë, si dhe një tjetër prej 218 kilogramësh kokainë. 
Prokuroria pretendon se dërgesa e parë u konfiskua nga autoritetet e Spanjës më 7 mars 2021 në portin e Valencias, kurse e dyta më 21 mars 2021 në portin e Barcelonës. Bashkëpunim në këtë rast ka ofruar edhe Spanja, shtet ky që nuk e njeh Kosovën si të pavarur. 

Si kontakte për drogën e Brazilit në aktakuzë përmenden përfaqësues të kompanisë “Seara”, Bahtiour Sadikovich Isakov dhe Eduardo Almeida. 

Sasia e narkotikëve me vlerë rreth 20 milionë euro u kap në Lipjan më 2021, ndërsa u ngarkua në Brazil në pako mishi që u destinua për në Kosovë. Ajo u sinjalizua nga DEA amerikane, e cila informoi autoritetet e Italisë, meqë ngarkesa që u mbikëqyr u transportua në rrugë detare.