Me kërkesë të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Gjykata Themelore e Prishtinës ditë më parë ka dënuar Kompaninë për Furnizim me Energji Elektrike, KESCO, lidhur me cenimin e të dhënave personale të qytetarëve, me rastin e shpërndarjes së faturave.
Jeton Arifi, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në këtë agjenci, shpjegon arsyet e dënimit të KESCO-s.
“Sipas një inspektimi të zhvilluar në prill të vitit 2016, është konstatuar se KESCO ka bërë shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike te konsumatorët pa marrë masat e sigurisë. Prandaj, ne kemi ngritur padi në Gjykatën Themelore, e cila ka shqiptuar dënim, sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale”, tha Arifi.
Për cenim të privatësisë së konsumatorëve, KESCO është gjobitur me 9 mijë euro. Në pyetjen e Radio Kosovës, se a do ta paguajnë gjobën dhe se a pritet të fillojë shpërndarja e faturave në zarfe të mbyllura, zyrtarë të kësaj kompanie për ditë të tëra nuk kanë dhënë përgjigje.
Për shkelje të privatësisë, muajin e kaluar, me 12 mijë euro, është dënuar edhe Kolegji “Mehmet Akif”. Në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës thuhet se ky kolegj ka bërë shkelje të privatësisë, përmes vëzhgimit me kamera në hapësirat e ndaluara me ligj, konkretisht në tualete. Lidhur me rastin, Radio Kosova ka kontaktuar me Kolegjin “Mehmet Akif”.
Nëpërmjet një emaili, nga ky kolegj kanë thënë se për dënimin që kanë marrë, janë ankuar në Gjykatën e Apelit. Por, nuk janë përgjigjur në pyetjen nëse i kanë larguar apo jo kamerat nga tualetet.
Jeton Arifi, nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, tha se ligji i ri, i cili pritet të miratohet, do t’i japë të drejtë kësaj agjencie për shqiptimin e gjobave, pa i proceduar ato në gjykata.
Edhe
KESCO gjobitet për shkelje të privatësisë së konsumatorëve
“Presim që qeveria ta dërgojë projektligjin e ri në kuvend, në bazë të cilit agjencia do të fuqizohet, duke marrë autorizime të reja, ku mes të tjerash do të mund të shqiptojë gjoba në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa pasur nevojë që lëndët t’i procedojë nëpërmjet gjykatës, siç ka ndodh deri tani”, theksoi Jeton Arifi.
Në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale thanë së vetëm vitin e kaluar, kanë pranuar rreth 90 ankesa me pretendimet për shkelje të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Por, nga këto ankesa nga gjykatat, janë zgjidhur vetëm dy lëndë.
Në Kosovë, edhe pse të dhënat personale dhe privatësia janë të mbrojtura me ligj, kjo e drejtë shumë shpesh u cenohet qytetarëve.