Për të gjashtën herë është gjobitur KEDS-i nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për parregullsi te njehsorëve elektrikë. MINT-i ka njoftuar se nga verifikimi në terren në 50 njehsorë janë konstatuar parregullsi dhe për këtë ka vendosur ta gjobisë KEDS-in me 110 mijë euro. Nga KESCO kanë thënë se konsumatorëve do t’u korrigjohen kartelat energjetike varësisht nga matja e energjisë së shpenzuar, por nuk kanë treguar se kur do të nisë kompensimi
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka gjobitur edhe me 110 mijë euro KEDS-in për njehsorë elektrikë ku janë vërejtur pasaktësi dhe afat i skaduar.
Ministria ka njoftuar se, gjatë verifikimit të njehsorëve pas ankesave të paraqitura, janë konstatuar parregullsi në 50 njehsorë, për çka edhe është shqiptuar gjoba e radhës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Sipas të dhënave nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, nga verifikimet e realizuara është konstatuar se 18 njehsorë kanë qenë me afat të skaduar të validitetit, 2 njehsorë kanë rezultuar me miratim tipi të tërhequr, ndërsa 30 njehsorë kanë pasur pasaktësi në datë dhe orë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
MINT-i ka njoftuar se raportet zyrtare pas verifikimit janë dorëzuar te KESCO me qëllim të kompensimit të konsumatorëve të dëmtuar.
Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji, të gjithë konsumatorët që vërtetohet se janë dëmtuar do të “kompensohen plotësisht”.
ZRRE-ja më herët pati njoftuar se për të përfituar kompensim, qytetarët duhet fillimisht të paraqesin ankesë në MINT, pastaj te KEDS-i e në rast se nuk pajtohen me përgjigjen e tyre, atëherë ankesën mund ta bëjnë edhe te ZRRE-ja.
KOHA i është drejtuar KESCO-s me pyetjen se kur pritet të fillojë kompensimi i qytetarëve, por nuk ka marrë përgjigje se kur do të nisë procesi.
“Edhe në këtë rast, secila ankesë e konsumatorit është trajtuar konform rregulloreve në fuqi. Respektivisht, ankesat e pranuara janë dërguar për verifikim te Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Pas verifikimeve nga ana e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, konsumatorëve do t’u korrigjohen kartelat e tyre energjetike varësisht nga matja e energjisë së shpenzuar”, ka thënë Margarita Rashiti, zëdhënëse në KESCO.
Pas ankesave të paraqitura nga konsumatorët për mospërputhje të orës te njehsorët elektrikë, më 31 mars të këtij viti është themeluar një komision nga MINT-i, ndërsa më 1 prill ka nisur verifikimi i njehsorëve.
Gjoba e parë ndaj KEDS-it është shqiptuar më 14 prill në vlerë prej 6 mijë eurosh, ndërsa shuma totale nga gjithsej gjashtë gjoba të shqiptuara deri më tash është 311 mijë euro.