Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka gjobitur edhe me 110 mijë euro KEDS-in, pasi ka gjetur 18 njehsorë me afat të skaduar të validitetit, dy njehsorë me miratim tipi të tërhequr dhe 30 njehsorë me pasaktësi në datë dhe orë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë një komunikatë për media, MINTI ka njoftuar se pas verifikimit të njehësorëve elektrikë dhe parregullsive të gjetura, KEDS-i është gjobitur ndërkaq raportet zyrtare të verifikimit janë dorëzuar edhe te KESCO, me qëllim të kompensimit të konsumatorëve të dëmtuar.
“Sipas të dhënave nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, nga verifikimet e realizuara është konstatuar se 18 njehsorë kanë qenë me afat të skaduar të validitetit, 2 njehsorë kanë rezultuar me miratim tipi të tërhequr, ndërsa 30 njehsorë kanë pasur pasaktësi në datë dhe orë.
Bazuar në gjetjet e evidentuara dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, Inspektorati Qendror i Tregut ka shqiptuar ndaj KEDS-it gjoba në vlerë prej 110,000 euro. Ndërkohë, raportet zyrtare të verifikimit janë dorëzuar edhe te KESCO, me qëllim të kompensimit të konsumatorëve të dëmtuar”, thuhet në njoftim.
MINTI ka njoftuar se procesi i verifikimit të njehsorëve do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, deri në trajtimin dhe shqyrtimin e plotë të të gjitha ankesave të paraqitura në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Kjo është gjoba e pestë e MINTI-t ndaj KEDS-it. Herën e fundit, më 20 maj KEDS-i është gjobitur me 40 mijë euro, më 4 maj me 90 mijë euro. Fillimisht është ndëshkuar me 6 mijë euro për dy njehsorë me afat të skaduar, e më pas edhe me 30.000 euro për gjashtë njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë.
Gjobat u ndanë disa muaj pasi KOHA pati raportuar për parregullsi në njehsorët elektrikë, e më pas për këtë çështje alarmoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërkohë, në fillim të muajit prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë e autorizoi Policinë të kryejë hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të shpërndarësit të rrymës.