Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

ZRRE: Qytetarët e prekur nga devijimet e njehsorëve do të kompensohen

Njehsor

Kompensim të konsumatorëve ka premtuar ZRRE-ja, për të gjithë ata që janë prekur nga devijimet në njehsorë të energjisë. Por, ky institucion ka insistuar se KEDS-i dhe KESCO-ja nuk kanë mundësi përfitimi nga gabimet eventuale në matje

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka bërë të ditur se do të kompensohen qytetarët e prekur nga pasaktësitë në regjistrimin e energjisë së shpenzuar në kohë reale, të evidentuara në njehsorë.
ZRRE-ja ka njoftuar në një deklaratë për media të martën se ka kërkuar zëvendësimin e njehsorëve aty ku janë paraqitur devijime në kohë.

“ZRRE-ja informon publikun se në rastet e paraqitura nga konsumatorët lidhur me devijimin e mundshëm të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e saj konform legjislacionit në fuqi, duke kërkuar zëvendësimin e atyre njehsorëve elektrikë, si dhe marrjen e masave konkrete për korrigjimin financiar në përputhje me vlerësimet teknike”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Megjithëkëtë, ZRRE-ja ka insistuar se te njehsorët e verifikuar është konstatuar matje e saktë e energjisë dhe se KEDS-i dhe KESCO-ja nuk kanë mundësi përfitimi nga gabimet eventuale në matje.

“Gabimet eventuale, nëse ndodhin, mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre dhe çdo konsumator i prekur do të kompensohet plotësisht, në përputhje me dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi. Moszbatimi i këtyre detyrimeve nga operatorët do të trajtohet sipas kornizës përkatëse ligjore”, thuhet në njoftim.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka shqiptuar javën e shkuar gjobë prej 30 mijë eurosh ndaj KEDS-it, pasi ka konstatuar gjashtë njehsorë elektrikë me afat të skaduar.

Edhe ZRRE: Do të kompensohen qytetarët e prekur nga devijimet e njehsorëve Arbëri ZRRE: Do të kompensohen qytetarët e prekur nga devijimet e njehsorëve

Në seancën e jashtëzakonshme gjatë së martës në Kuvend është diskutuar për energjinë elektrike, gjatë të cilit debat, ligjvënës të opozitës akuzuan partinë në pushtet për dallavere në këtë sektor.

Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë ndryshon varësisht nga koha e shpenzimit.

Tarifa e lartë shfrytëzohet gjatë ditës dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, gjatë dimrit aplikohet në periudhën 22:00–07:00, ndërsa gjatë verës nga ora 23:00–08:00.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 euro nëse e tejkalojnë këtë prag.

Edhe Mbi 1.500 ankesa të konsumatorëve në gjashtë muaj, shumica për energjinë elektrike Arbëri Mbi 1.500 ankesa të konsumatorëve në gjashtë muaj, shumica për energjinë elektrike

Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 euro kilovatin, ndërsa 7.28 euro nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

KEDS-i i ka mohuar shkeljet, duke thënë se mospërputhjet janë çështje teknike dhe jo manipulim.
Sipas KEDS-it, nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë.