Arbëri

Nga 14 komisione LVV-ja pritet të kryesojë me 6, PDK-ja me 3, LDK-ja me 2

Kryesia e Kuvendit do të mblidhet të enjten për ta diskutuar funksionalizimin e 14 komisioneve parlamentare. Sipas formulës për ndarjen e vendeve në Kuvend, Vetëvendosje pritet të udhëheqë me 6 syresh, PDK-ja me 3, LDK-ja me 2, ndërsa AAK-ja dhe komunitetet me nga një. Por funksionalizimin e këtyre trupave pa formimin e qeverisë së re, njohës të punës së Kuvendit e vlerësuan si veprim të ngutshëm

Kryesia e Kuvendit do të mblidhet për herë të parë të enjten për të zhvilluar konsultime lidhur me funksionalizimin e komisioneve parlamentare, që rëndom janë 14. 

Bazuar në këtë numër dhe në formulën për ndarjen e vendeve në zgjedhjet për Kuvend, po qe se AAK-ja e Nisma formojnë grup parlamentar, atëherë Vetëvendosje do të udhëheqë me 6 komisione, PDK-ja me 3, LDK-ja me 2, ndërsa AAK-ja e komunitetet me nga një. 

Por, funksionalizimi i këtyre trupave përpara formimit të qeverisë së re është kualifikuar si veprim jashtë rregullave dhe praktikës parlamentare. 

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se fillimisht duhet të ketë qeveri dhe të dihet numri i ministrive, ndërsa më pas të bëhet funksionalizimi e përcaktimi i komisioneve parlamentare për mbikëqyrjen e punës së tyre.

“Një ndarje e tillë nuk mund të bëhet edhe për një arsye tjetër. Sepse, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesimi i takon opozitës. Aktualisht nuk dihet cila është shumica parlamentare dhe cila është opozita parlamentare. Për këtë arsye kryetari i Kuvendit dhe kryesia nuk do të duhej të përcaktoheshin nesër”, ka thënë ai.

Ai thotë që edhe në rast se qëllimi është që komisionet të formohen për shqyrtim sa më të shpejtë të buxhetit të 2026-s, janë dy arsye përse Qeveria në detyrë nuk mund ta procedojë Ligjin për Ndarjet Buxhetore në Kuvend.

“Për arsye të një aktgjykimi të supremes, i cili ka treguar se nuk mund të ushtrohen dy pozita të përnjëhershme. Aktualisht deputetët që ushtrojnë pozita ministrore do të duhej që ta votonin një buxhet në mënyrë që ta votojë pastaj Kuvendi, por ky Kuvend përbëhet edhe nga këta deputetë, të cilët do ta votojnë atë buxhet në qeveri. Dhe, në anën e tjetër, kjo qeveri nuk është e lidhur me legjislaturën aktuale, është qeveri e formuar nga një legjislaturë e kaluar dhe nuk është qeveri, e cila i përmbush tiparet e nenit 31 të ligjit për qeverinë”, ka thënë Jakaj.

Por, bazuar në Ligjin për ekzekutivin, qeveria në dorëheqje e edhe ajo në detyrë nuk kanë të drejtë të sponsorizojnë ligje, por ndalesa nuk vlen për buxhetin. As në Zyrën e Kryeministrit e as në Ministrinë e Financave nuk treguan nëse do ta përcjellin atë në Kuvend.

Për procedimin e buxhetit në Kuvend dhe për miratimin e tij, Jakaj thotë se duhet të ketë marrëveshje të partive politike për formimin e një qeverie teknike, e cila do ta kryente këtë punë. 

Shqyrtimi i buxhetit duhet të bëhet në të gjitha komisionet parlamentare dhe më pas të procedohet në Kuvend për miratim.

Alarmi për bankrot të mundshëm të shtetit është dhënë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dështoi të dielën të sigurojë vota për mandatin e ri, ndërkaq oponentët e tij treguan se nuk synojnë koalicion. Tek të dyja kampet politike u shpreh gatishmëri për zgjedhje të parakohshme.

E, presidentja Vjosa Osmani synon t’i japë zgjidhje buxhetit, përpara se t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, nëse partitë nuk e propozojnë mandatarin e ri ose nëse mandatari dështon ta krijojë shumicën.

Bekim Kupina, i cili është këshilltar për media i presidentes, tha një ditë më parë se Osmani do t’iu bëjë thirrje partive politike për kompromis në këtë pikë.

Edhe 21 organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar presidentes Osmani me letër publike, nga e cila kërkuan ndërmjetësim mes partive politike për të shmangur krizën buxhetore.

E, në mungesë të miratimit të buxhetit të ri, Komisioni parlamentar për buxhet ka të drejtë të autorizojë shpenzime për tre muajt e parë të vitit konform projeksioneve të buxhetit të vitit paraprak. Për themelimin e këtij komisioni dhe të tjerëve, Kryesia e Kuvendit do të zhvillojë konsultime të enjten.