Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi s’ngutet për seanca ani se e rrezikon shpërndarjen pas 28 prillit

Kuvendi i Kosoves

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Pas gati një viti e gjysmë pa Kuvend plotësisht funksional, legjislatura aktuale ka edhe rreth një muaj mandat të sigurt, i cili më pas i rrezikohet po qe se në ndërkohë nuk zgjidhet presidenti i ri i shtetit. Nga fillimi i rrjedhjes së afatit prej 34 ditësh të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e deri më tash, Kuvendi nuk ka caktuar asnjë seancë të re plenare. Për shkak të rrezikut që legjislatura e dhjetë të shpërndahet, bëhet thirrje që Kuvendi të shpejtojë seancat dhe të trajtojë çështjet me rëndësi

Seanca e jashtëzakonshme që u pati planifikuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në ditën kur presidentja Vjosa Osmani e ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, nuk është shndërruar në urgjencë të kësaj partie për zhvillimin e saj, pasi që institucioni është zhbllokuar ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese.

LVV-ja, e cila më 6 mars e ka akuzuar presidenten se i ka lënë pa ratifikim një varg marrëveshjesh ndërkombëtare në vlerë të mbi 100 milionë eurove, nuk ka thirrur seancë për trajtimin e tyre as në ditën e tretë të nxjerrjes së aktgjykimit të Kushtetueses lidhur me dekretin e Osmanit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Marrëveshjet do të jenë pjesë e trajtimit në mbledhjen e kryesisë tek të hënën, në të cilën ditë do të caktohet edhe seanca e radhës e Kuvendit. Deri të hënën do të kalojnë gjashtë ditë nga afati 34-ditor që e ka dhënë Gjykata për funksionimin e Kuvendit, po qe se presidenti nuk zgjidhet deri më 28 prill.

As kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe as shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS nëse kjo periudhë do të shfrytëzohet me kapacitetin maksimal.

E, Naim Jakaj, monitoruesi i punës së Kuvendit në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se për shkak të rrezikut që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, Kuvendi duhet që ta shfrytëzojë afatin kushtetues për t’i kryer punët e veta. Në këtë synim, ai e ka vlerësuar si të vonshëm caktimin e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit për të hënën e javës së ardhshme.

“Do të duhej të mos thirrej për të hënën, por do të duhej të mbahej që sot pas shpalljes së këtij aktgjykimi dhe të merrej vendim për një seancë që do të duhej mbahej sot dhe jo më vonë sesa e marta apo e mërkura... nëse është vetëm seancë e rregullt i bie të kalojnë 8-9 ditë dhe Kuvendi të mos mbajë seancë që t’i kryejë punët e veta”, ka theksuar Jakaj.

Ai i ka numëruar disa prej pasojave që mund të prodhohen po qe se Kuvendi nuk do të jetë fleksibil për trajtim të çështjeve kryesore, para rrezikut për shpërndarje.

“Janë 4-5 çështje për të cilat Kuvendi do të duhej të vendoste me shpejtësi, në mesin e tyre disa projektligje e marrëveshje ndërkombëtare, dy anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, një anëtar joprokuror në KPK, tre anëtarë në KGJK, konkurse që tashmë janë të shpallura por që do të duhej me shpejtësi të kryheshin”, është shprehur ai.

Kosova ka mbetur pa Kuvend plotësisht funksional që nga dhjetori i vitit 2024. Që atëherë, pos që nuk janë miratuar projektligje të reja, edhe agjenci dhe institucione të pavarura kanë mbetur pa mandat apo pa borde të kompletuara.

Në 7 nga 12 institucionet në të cilat Kuvendi e ka në kompetencë emërimin apo kompletimin e bordeve drejtuese, ato kanë mbetur të pakompletuara.

“Avokati i Popullit dhe katër zëvendësit e Avokatit të Popullit – pa mandat; Komisioni i Pavarur për Media – në mungesë të një anëtari nga komuniteti shqiptar dhe një anëtari nga komuniteti joshumicë serb; Bordi për Ankesa i Mediave ka tre anëtarë – pa përbërje; Bordi i Radio Televizionit të Kosovës – në mungesë të tetë anëtarëve; Komisioni Shqyrtues i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit – pa kryesues; Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil duhet të plotësohet me 11 anëtarë, nga 15 sa duhet të ketë gjithsej; Komisioni për Ndihmë Shtetërore duhet të plotësohet me katër anëtarë”, kanë bërë ditur në Kuvend.

Brenda këtij afati kushtetues që e ka, Kuvendi mund të trajtojë aplikacionet e kandidatëve për anëtarë të Bordit të KPM-së dhe Bordit të RTK-së që i ka pranuar deri më tani.