Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese lëndën që ndërlidhet me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.
Shefja e këtij grupi, Arbërie Nagavci ka deklaruar se kërkesa është nënshkruar nga 30 deputetë të Kuvendit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAjo ka thënë se njëkohësisht kanë kërkuar nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.
“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit. Roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Çdo veprim jashtë këtyre kufijve përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe cenim serioz të parimit themelor të ndarjes së pushteteve, të sanksionuar në nenin 4, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Nagavci ka thënë se në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj.
Ndërkaq sipas saj, përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë jo vetëm që dëmtojnë rendin kushtetues, por rrezikojnë edhe vetë funksionimin demokratik të institucioneve.
“Presim që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje me prioritet dhe të japë sa më shpejt një vendim, në mënyrë që të parandalohet çdo cenim i mëtejmë i rendit kushtetues dhe i parimit të ndarjes së pushteteve”, ka shkruar ajo.
Më herët, në një prononcim për media, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu e ka quajtur jokushtetues dhe të ngutshëm dekretin e Osmanit.
“Vendimi i presidentes për ta shpërndarë Kuvendin për mua ka qenë befasi sepse është jokushtetues, është i ngutshëm dhe si të tillë do ta kundërshtoj edhe si kryetare e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.
Dekreti i presidentes Vjosa Osmani për t’i dhënë fund legjislaturës së 10-të, ka thelluar përplasjet mes pushtetit dhe opozitës.
Në Partinë Demokratike të Kosovës e kanë vlerësuar kushtetues dekretin e nxjerrë nga Osmani për ta shpërndarë Kuvendin e Kosovës. Ata thanë se Vetëvendosje po e keqinterpreton Kushtetutën për të prodhuar kriza institucionale.
Por Lëvizja Vetëvendosje, subjekti që drejton Qeverinë, dekretin e ka quajtur antikushtetues dhe e ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Presidentja e dekretoi shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjedhjes së presidentit deri më 5 mars dhe ka konsultuar partitë për datën e zgjedhjeve të parakohshme. Liderët politikë janë takuar disa herë për të arritur një figurë konsensuale, por pa sukses. Kryeministri Albin Kurti tha se ka zhvilluar disa takime me liderët opozitarë dhe se kishte propozuar emra si Andin Hoti për të nisur diskutimin, por nuk pati mbështetje dhe opozita nuk propozoi asnjë kandidat. Ai shtoi se sipas Kushtetutës ekzistojnë 60 ditë për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.