Në Partinë Demokratike të Kosovës e kanë vlerësuar kushtetues dekretin e nxjerrë nga presidentja Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin e Kosovës. Ata thanë se Vetëvendosje po e keqinterpreton Kushtetutën për të prodhuar kriza institucionale. Por, njohës të rrethanave juridike vlerësojnë se Osmani veproi në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të shtetit. Dekreti i presidentes Vjosa Osmani për t’i dhënë fund legjislaturës së 10-të është në përputhje me Kushtetutën, kanë thënë në Partinë Demokratike të Kosovës.
Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, tha se shpërndarja e Kuvendit është pasojë e drejtpërdrejtë kushtetuese kur ky organ dështon ta zgjedhë presidentin brenda afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë. Në konferencën për media, Gruda tha se nëse nënkuptohet se shpërndarja e Kuvendit ndodh vetëm pas dështimit të votimit të tretë për presidentin, atëherë Kuvendi mund të mos thërrasë kurrë seancë dhe ta zgjasë afatin përtej parashikimeve kushtetuese, duke mos aktivizuar as afatin 30 ditësh as atë 60 ditësh.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Grudës, afati 60-ditor shërben kryesisht për situata kur posti i presidentit mbetet vakant, si në rast dorëheqjeje, shkarkimi apo vdekjeje të presidentit. Në këto raste, sipas tij, nuk mund të zbatohet afati prej 30 ditësh i nenit 86, sepse ai lidhet me përfundimin e rregullt të mandatit të presidentit aktual.
Ndryshe nga PDK-ja, profesori i teorisë së shtetit dhe së drejtës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Flamur Hyseni, vlerëson se dekreti është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se Vetëvendosje ka ende dy muaj kohë për ta zgjedhur presidentin dhe për t’i shmangur zgjedhjet. Ai theksoi se neni 82, paragrafi 1, nënparagrafi 3 përcakton se Kuvendi e humb aftësinë vepruese vetëm nëse brenda 60 ditësh nga fillimi i procedurës nuk zgjidhet presidenti.
Antikushtetues dekretin e presidentes e ka vlerësuar edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Sipas tij, veprimi i Osmanit është përpjekje për ndryshim të formës së pushtetit shtetëror dhe për shndërrimin e sistemit kushtetues nga parlamentar në presidencial, pasi në sistemet parlamentare parlamenti shpërndahet vetëm në raste të caktuara, si mocioni i mosbesimit, vetëshpërndarja ose pamundësia për të formuar organet qendrore të pushtetit.
Ndërkohë, partitë politike janë përplasur edhe për mungesën e konsensusit për presidentin e ri. PDK ka akuzuar Vetëvendosjen se po e çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe po kërkon kontroll mbi institucionet. Nga ana tjetër, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, tha se në takimet me PDK-në nuk ishte shprehur kundërshtim për kandidaturën e Glauk Konjufcës dhe se komunikimi me opozitën ka qenë normal.
Presidentja e shpërndau Kuvendin pas moszgjedhjes së presidentit deri më 5 mars dhe ka konsultuar partitë për datën e zgjedhjeve të parakohshme. Liderët politikë janë takuar disa herë për të arritur një figurë konsensuale, por pa sukses. Kryeministri Albin Kurti tha se ka zhvilluar disa takime me liderët opozitarë dhe se kishte propozuar emra si Andin Hoti për të nisur diskutimin, por nuk pati mbështetje dhe opozita nuk propozoi asnjë kandidat. Ai shtoi se sipas Kushtetutës ekzistojnë 60 ditë për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.