Arbëri

PDK, LDK, AAK e Nisma: S’ka votë as për buxhet, as për Qeveri

Kuvendi i Kosoves

Foto: Driton Paçarada

Dy seanca të ndara do të mbahen të mërkurën me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, në ditën e fundit të afatit kushtetues për krijimin e Qeverisë. Në seancën e parë ku do të synohet formimi i komisioneve që i hapin rrugë sidomos shqyrtimit të buxhetit, subjektet politike PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë thënë se nuk do të marrin pjesë. Të njëjtat, ndonëse kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancën e dytë, janë deklaruar se nuk kanë votë për Qeverinë Konjufca. Nëse dështon votimi për Qeverinë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme

Propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë përgjigje të prerë nga katër parti parlamentare, një ditë para se ato të nxirren për diskutim e miratim në Kuvendin e Kosovës, në dy seanca të ndara. Në seancën e parë ku do të synohet formimi i komisioneve, që i hapin rrugë veç tjerash edhe projektligjit të buxhetit 2026, subjektet politike PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë thënë se nuk do të marrin pjesë. Të njëjtat, ndonëse kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancën e dytë, janë deklaruar se nuk kanë votë për Glauk Konjufcën të mandatuarin e dytë për krijimin e qeverisë. 

Seanca e parë që më kërkesë të 40 deputetëve të Vetëvendosjes është caktuar të mbahet në orën 11:00, parasheh nëntë pika të rendit të ditës. Në këtë seancë do të synohet formimi i komisioneve parlamentare e më pas shqyrtimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, shqyrtimi në lexim të parë i projektligjit për buxhetin për vitin 2026, miratimi i buxhetit për Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin- Potokut, si dhe trajtimi i çështjes së financimit të RTK-së. 

Në arsyetimin për seancën e orës 11:00, ligjvënësit e Vetëvendosjes kanë theksuar se miratimi i çështjeve të listuara në rendin e ditës janë parakusht për funksionimin e rregullt të institucioneve.
“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje vlerëson se çështjet e përcaktuara në rendin e ditës kërkojnë trajtim urgjent nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për shkak të rëndësisë së tyre institucionale, buxhetore dhe funksionale”, thuhet në arsyetimin e LVV-së të shkruar në kërkesën për seancë.

Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka shprehur pritjet se të gjithë deputetët do të shprehin gatishmërinë për miratimin e këtyre vendimeve. 

“Po shpresojmë që në seancë, për arsyet emergjente të cilat lidhen edhe me buxhetet e komunave, të marrin pjesë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të tregojnë gatishmëri e vullnet për t’i tejkaluar ngarkesat e obligimet financiare të cilat mund të kryhen në legjislaturën e nëntë, para se të kalojmë në një votim tjetër”, ka thënë Kusari-Lila. 

Pas përfundimit të kësaj seance, deputetët do të mblidhen sërish për zgjedhjen e Qeverisë. Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë treguar nëse janë siguruar votat e nevojshme për votim të suksesshëm. Për këtë refuzoi të përgjigjet edhe kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, kur u pyet nga gazetarët.

“Më duhet të shkoj shpejt në takimin e radhës”, ka thënë Kurti.

Në partitë që ishin opozitë në legjislaturën e kaluar, i kanë konfirmuar qëndrimet kundër Qeverisë Konjufca. 

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se Vetëvendosja nuk ka vullnet për ta bërë Qeverinë dhe se e ka zvarritur qëllimshëm procesin deri më tash. 

“Qëndrimi i PDK-së është i njëjtë që kemi pasur tashmë e më shumë se tetë muaj në raport me krijimin e institucioneve. Edhe seanca e nesërme, e cila është dita e fundit juridikisht që duhet me u thirre, është vazhdimësi e orvatjes dhe lojës politike që mazhoranca e ka bërë pa vullnetin për të ndërtuar institucionet e shtetit, pra do të jetë një përsëritje e një skenari që tashmë është i njohur”, ka thënë Shala. 

Mospjesëmarrjen e PDK-së e konfirmoi edhe zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu. 

“Ne nesër nuk marrim pjesë në seancën e orës 11:00, vetëm në atë të orës 14:00”, ka thënë ai.

Po ashtu edhe në LDK kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për trajtimin e çështjes së buxhetit për vitin e ardhshëm e të disa marrëveshjeve ndërkombëtare. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk bëhet pjesë e shfaqjeve parlamentare të pushtetit në ikje. Sipas tij, deputetët e LDK-së do të marrin pjesë vetëm në seancën për zgjedhjen e Qeverisë dhe se do të votojnë kundër mandatarit të LVV-së, Glauk Konjufca, të cilin e quajti kukull.

“Zvarritën tetë muaj krijimin e shumicës e formimin e institucioneve. Na i humbën edhe 15 ditë të tjera me mandatar kukull që s’bënte asnjë përpjekje për minimalisht qeverisje. Nesër, në ditën e fundit, orën e fundit, afatin e fundit, paskan thirrur dy seanca për urgjencën që e shkaktojnë vetë me vonesë... Nesër, nga ora 14:00, votojmë me bindje e krenari kundër pakicës që nuk mund të sillet si shumicë më në këtë shtet”, ka thënë Abdixhiku.

Pjesëmarrjen vetëm në seancën e orës 14 e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili. 

Ky subjekt javën e kaluar ka dalë me qëndrim për çështjen e mandatarit. 

“AAK ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë të enjten, ku ka dalë me qëndrim të prerë, rrugëdalja e vetme nga gjendja në të cilën ndodhet vendi është shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare... Nuk ka koalicion me VV, nuk kemi votë për Konjufcën dhe askënd nga radhët e tyre”, ka shkruar Xhemaili në Facebook. 

As Nisma Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00.

“Këto tema nuk mund të trajtohen si dekor për fushatë dhe as si instrument i propagandës ditore. Për këto arsye, NISMA Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në këtë seancë të improvizuar. Ne do të mbetemi të përkushtuar ndaj zgjidhjeve që u shërbejnë qytetarëve, që rikthejnë normalitetin institucional dhe që respektojnë rendin kushtetues. Në këtë moment vendi ka nevojë për qartësi, përgjegjësi dhe veprim të matur, jo për lëvizje të nxituara me prapaskenë elektorale”, thuhet në deklaratën e Nismës Socialdemokrate. 

Ndaj seancës së thirrur nga Vetëvendosje për trajtimin e buxhetit kanë reaguar edhe në shoqërinë civile. Albert Krasniqi nga “Demokraci Plus” ka thënë se kjo seancë është e paligjshme dhe në kundërshtim me rendin kushtetues të vendit. Ka thënë se e vetmja zgjidhje është krijimi i një qeverie teknike me mandat të kufizuar që do të kishte vetëm një qëllim - ta nxjerrë vendin nga bllokada dhe të përgatisë zgjedhjet e ardhshme.

“Kjo seancë nuk është zgjidhje por është një manovër politike e pushtetit, të cilës i është bashkuar së fundi edhe presidentja Osmani, për të zhvendosur fajin te të tjerët për pasojat e rënda financiare me të cilat do të përballet vendi”, ka thënë ai.

Seriozitetin e Vetëvendosjes për t’i trajtuar këto çështje e ka kontestuar edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës. 

“Së pari, duket se ka shumë pak besim që Qeveria e propozuar nesër do të sigurojë shumicën e nevojshme. Për më tepër, dështimi eventual për miratimin e pikave të nesërme do të tentohet të kapitalizohet si kartë politike gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore. Dhe së dyti, po jepen sinjale se vendi mund të mbetet pa Qeveri të re funksionale edhe përtej muajit mars - kur çështjet buxhetore bëhen realisht emergjente”, është shprehur Cakolli. 

Në rast të dështimit të Konjufcës për të siguruar votat e nevojshme për Qeverinë, presidentja është e obliguar t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes.  

Zgjedhjet për Qeverinë që synohet të formohet nesër janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95, LDK-ja me 18.27 dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave. 

LVV-ja ka siguruar 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, AAK 5, Nisma 3, ndërsa Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb. Një ulëse nga komuniteti serb e ka partia e Nenad Rashiqit, ndërsa dhjetë ulëset e tjera nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.
 

Lexo përditësimet tjera
kuvendi

Kuvendi nesër me dy seanca, njëra për mandatarin Glauk Konjufca

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër (e mërkurë) dy seanca të thirrura nga grupi parlamentar...