LAJMET E MBRËMJES

Seancë për buxhetin në kundërshtim me rendin kushtetues, thonë PDK e LDK

Në seancën e parë të mbajtur paraditen e së mërkurës, munguan deputetët e partive deri tash në opozitë. Mungesën e tyre e arsyetuan nëpërmjet konferencave për media të mbajtura pak minuta para nisjes së seancës së jashtëzakonshme. Përfaqësues të PDK-së, LDK-së e Nismës thanë se mbajtja e saj është në kundërshtim me ligjin, rendin kushtetues e rregullat e punës së Kuvendit.

Ulëset e deputetëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së e të Listës Serbe ishin të zbrazëta në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të mbajtur të mërkurën.

Partitë deri tash në opozitë bojkotuan mbledhjen e ftuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e ku në rend të ditës, mes tjerash, ishte miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm e disa marrëveshje ndërkombëtare.

Para se seanca të niste punimet e saj, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se seanca është në kundërshtim me ligjin e rendin kushtetues.

“Kjo seancë që do të mbahet është farsë, është turp politik. Nuk është zgjidhje por tentim me mbuluar dështimin. Ajo që po shohim sot është e dukshme. Kur vjen puna me kriju institucione e për të kryer punë kemi zvarritje e manipulim afatesh nga Lëvizja Vetëvendosje. Kur vjen puna për t’i ikur përgjegjësisë, nxitim i çuditshme, madje duke shkelur rëndë rendin kushtetues”, tha Çitaku.

Me thirrjen e seancës për buxhetin, sipas deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, Vetëvendosje po i shfrytëzon institucionet shtetërore si instrument për lojëra politike.

“Në agjendën e seancës kanë përfshirë propozim-buxhetin politik të Kosovës për vitin 2026, marrëveshje ndërkombëtare, kredi-borxhe që do të duhej të kishte proces serioz dhe jo improvizime të ngutshme që shpërfillin rregulloren dhe agjendën shtetërore në dekor fushate. Pikërisht për këtë arsye LDK-ja nuk merr pjesë në një proces kaq të papërgjegjshëm”, deklaroi Zemaj.

Arsyetimin për mospjesëmarrje në seancë, para fillimit të saj, e dha edhe Nisma Socialdemokrate.

“Është seancë e thirrur jashtë rregullave ligjore, nuk i plotëson rregullat e punës së Kuvendit. Dhe që sigurisht që një gjë e tillë dhe një çështje kaq e rëndësishme siç është buxheti të bie ndesh edhe me rregulloren e punës edhe me ligjet në fuqi, Nisma nuk ka votë për këtë pjesë”, tha deputetja e kësaj partie Arbëresha Krasniqi.

Me gjithë deklarimet e partive deri tash në opozitë kundër kësaj seance, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të diskutimeve për të.

Ndërsa  Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është duke shënuar nivelin më të lartë të parregullsive kushtetuese, devijimeve procedurale dhe parregullsive parlamentare në historinë e Kosovës.