Aktivistja e njohur, Greta Thunberg, do t’i bashkohet protestës së nesërme, 23 korrik, në mbështetje të palestinezëve në sheshin Skenderbej në Tiranë.
“Urgjent. Ndaloni urinë. Lejoni ushqimin, lejoni jetën. Protesto me Greta Thunbergun”, thuhet në posterin e shpërndarë nga Lëvizja për të drejtat e njeriut dhe paqe ndërkombëtare “Solidarity Albania”.
Në faqen e Lëvizjes në Instagram është publikuar një video e Thunbergut teksa bën thirrje që njerëzit t’i bashkohen protestës.
“Gaza ka hyrë në fazën 5 të kequshqyerjes dhe palestinezët po shfrytëzojnë atë pak energji që u ka mbetur për të nxitur botën të ngrihet në këmbë dhe të zgjedhë një anë. Nesër, ne do të ngrihemi së bashku për të kërkuar fundin e okupimit të jashtëligjshëm të Izraelit”, ka thënë Thunberg.
Protesta do të nisë nga ora 18:00.
Greta Thunberg ka nisur aktivitetin e saj pro palestinezëve qe një kohë, pasi ata janë privuar nga ushqimi dhe pikat e hapura nga Izraeli janë përcjellë vazhdimisht me parregullsi, me raportime se palestinezë janë vrarë pa arsye nga ushtria izraelite.
Thunberg ishte nisur me një anije ndihmash humanitare për në Gaza, por ishte ndaluar nga autoritetet e Izraelit në qershor, e më pas ishte deportuar.