Arbëri

Në Zveçan, Peci lë gati zyrën dhe dokumentacionin për kryetarin e ri të Komunës

Ndonëse betimi është bërë të premten, pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarëve të komunave në veri pritet të bëhet më vonë. Ndërsa kryetari i deritashëm i Zveçanit, Ilir Peci, i la gati zyrën dhe dokumentet për Dragisa Miloviqin e Listës Serbe, ai tha se firmosja e aktit të kalimit të pushtetit do të bëhet të hënën.

Zyrën, nga e cila drejtoi Komunën e Zveçanit për dy vjet e gjysmë, Ilir Peci e la të gatshme për kryetarin e ri nga Lista Serbe, Dragisa Miloviq. 

Peci është bërë kryetari i parë shqiptar në komunën e banuar kryesisht me serbë, pas bojkotit që ata iu bënë zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura në fillim vitit të 2023-tës.

Pak minuta para betimit të kryetarit të ri të Zveçanit, Peci u kujdes që të lërë gjithçka gati për dorëzimin zyrtar të detyrës.

Krahas simboleve shtetërore, përfshirë këtu edhe disa flamuj të Republikës së Kosovës që lanë në zyrë, Peci tha se kryetarit të ri do t’ia dorëzojnë të gjithë dosjen për punët e planet që janë bërë.

“Situata e dimë qysh ka qenë kur e kemi marrë dhe çfarë vendi po e lëmë komunën. Është një ndryshim shumë pozitiv. Ndjehet njeriu mirë kur e lë një pozitiv diçka punë është shumë mirë, për herë të parë kryetar shqiptar... I kanë të gjitha të gatshme të shënuara dhe veç munden me vazhdu qysh prej sot të punojnë ... jo qysh na e kem marrë detyrën... zyrtarisht ka me prit ka me ja uru nëse pranon mandatin e ri”, deklaroi Peci

Por pas betimit si kryetar, Dragisa Milloviq u largua nga objekti i komunës e në zyrë nuk i shkoi Pecit.
Në mesditë, për pauzë dreke u larguan edhe vetë Peci e zyrtarët e tjerë komunalë.

Kthimin e tij nga zyrat e Listës Serbe në Zveçan, pak metra nga komuna, e pritën zyrtarët e Listës Serbe. 

Një orë më vonë, në komunë u kthye kryetari i deritanishëm. Në objekt fillimisht hynë disa zyrtarë të tjerë të Listës Serbe e pas tyre edhe kryetari i sapozgjedhur Milloviq. 

Raportet me pasardhësin e tij, kryetari i deritanishëm, Peci, i përshkroi si shumë të mira. Tha se në përputhje me rregullat, para dorëzimit zyrtar të detyrës, atij janë duke ia shpjeguar të gjitha veprimet që kanë ndërmarrë në dy vjet e gjysmë mandat në krye të Zveçanit.

“Për momentin gjithçka është mirë. Raportet janë shumë të mira mes neve. Disa detaje jemi duke ua shpjeguar.... Ende nuk kemi mbërri deri të nënshkrimi. Sipas të gjitha gjasave nënshkrimi do të ndodhë të hënën në orën 10”, tha Peci

Vendosja në zyrë e Ilir Pecit, kur u zgjodh në krye të Zveçanit dy vjet e gjysmë më parë, u patë përcjellë me protesta e tensione të shumta, nga të cilat u lënduan pjesëtarë të KFOR-it, të Policisë së Kosovës e gazetarë.