Para flamurit të Kosovës e simboleve të tjera shtetërore u betuan edhe kryetari i ri i Zveçanit e ai i Leposaviqit. Ata u kthyen në pozitat që i braktisën tre vjet më parë, në shenjë kundërshtimi të vendimeve të Qeverisë për shtrirjen e kushtetutshmërisë në veri.
Nga selia e Listës Serbe, kryetari i ri i Zveçanit, Dragisha Milloviq, iu drejtua objektit të komunës që e drejtoi.
Pasi u dorëhoq me direktiva të Serbisë tre vjet më parë, Milloviq të premten u betua se do të punojë me nder, besnikëri e në pajtim me ligjin.
Fillimisht betimi u bë nga anëtarët e Kuvendit Komunal, përfshirë edhe kryetarin e deritanishëm të Zveçanit, Ilir Peci, që do të jetë i vetmi asamblist shqiptar në këtë komunë.
Tekstin e betimit, të lexuar nga kryesuesi i seancës, fjalë për fjalë e përsëriti kryetari i sapozgjedhur, Dragisa Miloviq, para flamurit të Kosovës e fotografisë së presidentes Vjosa Osmani.
E në fjalën e tij me t’u betuar si kryetar, tha se kthimi në komunë është moment solemn dhe se Kuvendit Komunal po i kthehen përfaqësuesit legjitimë.
“Periudha që na pret sigurisht nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë plot me sprova. Kjo është arsyeja pse detyra dhe qëllimi im kryesor do të jetë që së bashku me ju, këshilltarë të respektuar, të ruajmë, para së gjithash, paqen dhe sigurinë në territorin e komunës sonë”, theksoi Miloviq.
Ai tha se do të punojë në të mirë të banorëve të Zveçanit dhe se do të bashkëpunojë me ndërkombëtarët e edhe me institucionet në nivelin qendror, pa i quajtur ato si të Kosovës e edhe kur përmendi policinë, asaj iu referua me emërtimin e para shpalljes së pavarësisë.
“Jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët janë në këtë detyrë, për të ruajtur prosperitetin dhe begatinë e komunës sonë. Do të bashkëpunoj gjithashtu me përfaqësuesit e misioneve, sipas Rezolutës 1244, me KFOR-in dhe me UNMIK-un, me EULEX-in, OSBE-në, me institucionet në Prishtinë, me Shërbimin Policor të Kosovës”, tha Miloviq.
Inaugurimi u bë edhe në Komunën e Leposaviqit, ku si kryetar u kthye Zoran Todiq. Edhe në këtë komunë ceremonia inauguruese e Kuvendit Komunal dhe ajo e betimit të kryetarit u bë me simbole shtetërore.