Arbëri

Kryetarët e komunave në veri zotohen për prosperitet të qytetarëve e bashkëpunim me Policinë

dragisha

Kryetar i ri i Komunës së Zveçanit Dragisha Miloviq gjatë seancës së inaugurimit

Foto: Driton Paçarada

Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan janë mbajtur seancat konstituive të kuvendeve komunale dhe ceremonitë e betimit të kryetarëve të rinj, të gjithë të Listës Serbe. Tre vjet më parë, kryetarët që vinin po nga ky subjekt politik, braktisën komunat në shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë për shtrirjen e kushtetutshmërisë në këtë pjesë. Tash ata betimin e bënë me simbole shtetërore e konform Kushtetutës së Kosovës

Me fotografinë e presidentes së shtetit në ballë e me flamurin e Kosovës anash në sallë u bë inaugurimi i kryetarit të ri serb të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq. Pak minuta para orës 11:00 në sallë erdhën asamblistët e rinj të kësaj komune, nga të cilët 10 i takojnë Listës Serbe, një i Vetëvendosjes, një i PDK-së dhe tre të tjerë të tri partive më të vogla serbe. Mungoi Aleksandër Arsenijeviqi, i cili është në kërkim nga Policia.

Për monitorimin e zhvillimit të seancës në përputhje me ligjet e Kosovës, në sallë prezentë ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

I ulur në fund të sallës qe edhe deputeti i deritanishëm, Slavko Simiq.

Derisa asamblisti më i vjetër që kryesoi seancën po përmendte rregullat gjatë inaugurimit, asamblisti Marko Jakshiq vendosi në tavolinë flamurin me ngjyrat e Serbisë, por pa stemën e saj në të.

Kryesuesi formoi një komision i cili i verifikoi mandatet. Në kohën kur po bëhej kjo, Jakshiqi u thirr jashtë nga zyrtarët e MAPL-së. E kur hyri brenda e largoi flamurin, por e ngriti një shqetësim.

“Në këtë moment, ndihem i rrezikuar dhe i pasigurt, sepse në këtë sallë, përveç nesh dhe gazetarëve, po qëndrojnë edhe pjesëtarë të policisë...”, ka thënë Jakshiq.

Për këtë i reaguan dy asamblistët shqiptarë.

“Nuk ke nevojë me u frikësu nga tjetër kush, nuk e dimë kush është polic, por ne këtu jemi të barabartë, nuk ka nevojë me politizu këtë mbledhje solemne”, ka thënë Emir Azemi, asamblist i PDK-së.

Praninë e Policisë tha se nuk po e sheh asamblistja e LVV-së, Aida Doli.

“Nuk po vërej që ka polic në këtë sallë. Nuk ka nevojë që parafolësi të ndihet i kërcënuar. Jemi këtu për t’u betuar në seancën konstitutive”, është shprehur Doli.

Pas këtyre replikave, asamblistët u bënë gati për betimin, teksti i të cilit qe i shkruar në dy fleta në të dy gjuhët zyrtare, shqip e serbisht. Aty duhej të viheshin firmat e këshilltarëve komunalë.

Pas betimit, fjalën e mori kryetari i rizgjedhur, Milan Radojeviq. Tha se prej që e morën shqiptarët udhëheqjen në Mitrovicë, Komuna nuk qe më mjedis urban multietnik.

“Është koha për të mbyllur kapitullin e errët të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Ne besojmë se do t’u sjellim prosperitet të gjithë qytetarëve dhe do të sjellim multietikë dhe bashkëjetesë që ka ekzistuar gjithmonë në qytetin tonë”, ka deklaruar Radojeviq.

Në seancën inauguruese, një asambliste shqiptare qe me foshnjë.

E, kur seanca përfundoi dhe derisa administrata po i mblidhte tekstet e betimit, asamblisti Jakshiqi i vonoi pak, pasi në fletën ku shkruhej betimi në shqip nuk e vuri nënshkrimin, por shkroi diçka tjetër.

Pas seancës kryetari i Komunës tentoi të futej në zyrë, por e gjeti të mbyllur. Pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit pritet të bëhet të hënën.

Përpos në Mitrovicën e Veriut, kuvendet komunale janë inauguruar edhe në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok. Në këtë të fundit, betimin e dha edhe kryetari i Zubin-Potokut, Millosh Peroviq.

“Deklaroj se do të kryej detyrat e mia dhe ushtroj kompetencat e mia me nder dhe besnikëri, në mënyrë që të krijoj kushte për jetë në Komunën e Zubin-Potokut të sigurt dhe të qetë”, ka deklaruar Peroviqi.

E nga selia e Listës Serbe, kryetari i ri i Zveçanit, Dragisha Milloviq, iu drejtua objektit të komunës që e drejtoi. Pasi u dorëhoq me direktiva të Serbisë tre vjet më parë, Milloviq të premten u betua se do të punojë me nder, besnikëri e në pajtim me ligjin.

Fillimisht betimi u bë nga anëtarët e Kuvendit Komunal, përfshirë edhe kryetarin e deritanishëm të Zveçanit, Ilir Peci, që do të jetë i vetmi asamblist shqiptar në këtë komunë. Peci para seancës ka folur për gjendjen në të cilën e ka gjetur komunën dhe atë se si po e dorëzojnë tek udhëheqja e tashme. 

“Shpresoj që kryetari i ri ka me vepru në bazë të ligjit... Është një ndryshim shumë i madh, ata i kanë të gatshme procedurat, i kanë me projekte, i kanë të gjitha të shënuara nëpër çdo drejtori”, ka thënë Peci. 

Ndërsa pas takimit me kryetarin e ri të Zveçanit, ka thënë se marrëdhëniet mes tyre janë shumë të mira.

“Disa detaje jemi duke ia shpjeguar. Ende nuk kemi mbërri deri te nënshkrimi. Sipas të gjitha gjasave nënshkrimi e pranim-dorëzimi do të ndodhin të hënën, rreth orës 10 paradite”

Tekstin e betimit, të lexuar nga kryesuesi i seancës, fjalë për fjalë e përsëriti kryetari i sapozgjedhur, Dragisa Milloviq, para flamurit të Kosovës e fotografisë së presidentes Vjosa Osmani.

E në fjalën e tij me t’u betuar si kryetar, tha se kthimi në komunë është moment solemn dhe se Kuvendit Komunal po i kthehen përfaqësuesit legjitimë.

“Periudha që na pret sigurisht nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë plot me sprova. Kjo është arsyeja pse detyra dhe qëllimi im kryesor do të jetë që së bashku me ju, këshilltarë të respektuar, të ruajmë, para së gjithash, paqen dhe sigurinë në territorin e komunës sonë”, ka theksuar Milloviq.

Kryetari i ri tha se do të punojë në të mirë të banorëve të Zveçanit dhe se do të bashkëpunojë me ndërkombëtarët e edhe me institucionet në nivelin qendror, pa i quajtur ato si të Kosovës e edhe kur përmendi policinë, asaj iu referua me emërtimin e parashpalljes së pavarësisë.

“Jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët janë në këtë detyrë, për të ruajtur prosperitetin dhe begatinë e komunës sonë. Do të bashkëpunoj gjithashtu me përfaqësuesit e misioneve, sipas Rezolutës 1244, me KFOR-in dhe me UNMIK-un, me EULEX-in, OSBE-në, me institucionet në Prishtinë, me Shërbimin Policor të Kosovës”.

Inaugurimi u bë edhe në Komunën e Leposaviqit, ku si kryetar u kthye Zoran Todiq. Edhe në këtë komunë ceremonia inauguruese e Kuvendit Komunal dhe ajo e betimit të kryetarit u bë me simbole shtetërore.

Jashtë komunës nuk pati tensione, por prezencë të shtuar të Policisë dhe KFOR-it.

Komunat me shumicë serbe në veri u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023, pasi ata nga Lista Serbe kishin dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022 si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet, në shenjë kundërshtimi me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Lista Serbe – parti që gëzon mbështetjen e Beogradit – gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kishte pranuar se kishte gabuar kur ishte larguar nga institucionet dhe kishte theksuar se ky vendim ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi “gjendjen e vështirë” të serbëve.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha më 3 dhjetor se kryetarët e rinj të komunave – Milan Radojeviq në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin- Potok – pas marrjes së detyrës do të kërkojnë të kenë qasje në dokumentacionin e plotë.

Lista Serbe, gjithashtu, më parë kishte njoftuar se do t'i anulonte vendimet “jolegjitime” që kanë marrë kryetarët shqiptarë të komunave në veri.

Pas zgjedhjeve lokale të tetorit, Bashkimi Evropian kishte deklaruar se pret që pushteti i ri lokal në veri të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet qendrore, në periudhën e ardhshme do të qëndrojë konstruktiv në zgjidhjen e nevojave dhe kërkesave të popullatës përmes institucioneve dhe në përputhje me ligjet.

Ligji për vetëqeverisjen lokale parashikon se për çdo vendim ose akt tjetër të komunës, që nuk përputhet me Kushtetutën dhe ligjet, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ose institucioni tjetër përgjegjës i Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu, autoritetet lokale morën në pronësi objektet ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet “jolegjitime” të financuara nga Serbia ose paralajmëruan shembjen e ndërtesave të ndërtuara pa leje.

Ndërkohë, në vend të institucioneve serbe u hapën institucione të Kosovës, poste dhe banka, dhe filloi edhe hapja e subjekteve ekonomike në pronësi të shqiptarëve.

Komuna e Mitrovicës së Veriut në mes të këtij viti nënshkroi gjithashtu një memorandum mirëkuptimi me Komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashikon ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, një nismë që u mbështet nga Qeveria e Kosovës.

Popullsia me shumicë serbe nuk i pranoi kryetarët shqiptarë të komunave në veri, dhe shpërthyen kriza të njëpasnjëshme. Në fund të majit të vitit 2023, kur kryetarët shqiptarë morën pushtetin, ndodhi edhe një përplasje mes serbëve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, para ndërtesës së Komunës së Zveçanit, ku u lënduan dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.

Tensionet në veri kulmuan me sulmin nga një grup i serbëve të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Autoritetet e Kosovës akuzuan Serbinë për përfshirje, atje ku tash janë duke qëndruar Radoiçiqi dhe grupi i tij, i shpallur terrorist.