Kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të premten do t’ua dorëzojnë detyrën atyre serbë. Ata kërkuan që kryetarët e rinj të respektojnë ligjet e Republikës, simbolet e saj e edhe vendimet që u morën gjatë administratës shqiptare. Ministri në Detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, tha se dikasteri i tij do të sigurojë që seancat inauguruese për kryetarët serbë të bëhen në pajtim me ligjet e Kosovës
E enjtja është dita e fundit në zyrën e kryetarit të Zubin-Potokut për Izmir Zeqirin, i cili e vlerësoi sfidues e plot përgjegjësi drejtimin nga një shqiptar të një komune me shumicë serbe.
Të premten në orën 11:00, Zeqiri në Zubin-Potok, Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut, Lulzim Hetemi në Leposaviq e Ilir Peci në Zveçan do t’ua dorëzojnë detyrën kryetarëve të rinj që i përkasin Listës Serbe.
Zeqiri që udhëhoqi Zubin-Potokun për dy vjet e gjysmë tha se të premten pas betimit, do t’ia dorëzojë detyrën kryetarit të ri bashkë me dokumentacionin e vendimet që ka marrë gjatë mandatit.
“Gjithçka, me protokoll, me dokumentacion, me asete siç janë veturat, regjistrat e punësimeve e asetet e tjera. Krejt janë aty në protokolle. Natyrisht kjo është aset i komunës dhe natyrisht që këto duhet t’i dorëzojmë”, ka thënë Zeqiri.
Zeqiri thotë se gjatë udhëheqjes së tij, komuna ka marrë kthesë tjetër në drejtim të respektimit të raporteve ndëretnike, të cilat thotë se duhet t’i kultivojë pasardhësi i tij, nëse nuk dëshiron probleme me ligjin.
“Unë kujtoj që ata duhet të respektojnë rrethanat në të cilat jetojmë dhe duhet të punojnë brenda kornizave ligjore çfarë na ofron Republika e Kosovës dhe natyrisht besoj që gjërat ashtu mund të vazhdojnë për mirë. Në të kundërtën i hapin probleme vetes, i hapin probleme qytetarit dhe natyrisht ballafaqohen me ligjin”, ka theksuar ai.
I gatshëm për dorëzimin e detyrës është shprehur edhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
“Ne jemi përgatitur në mënyrë zyrtare sipas rregullores, sipas ligjit për ta bërë pranim-dorëzimin. Edhe në zyrën time të gjitha dokumentacionet janë të gatshme, i kemi përgatitur raportet për dorëzim në mënyrë zyrtare. Shpresoj nga ana e tij nesër vetëm të respektojë ligjet e Republikës së Kosovës, asgjë më shumë e as më pak, as ai e as unë”, ka thënë Peci.
Kryetari Peci thotë se përveç dokumentacionit në zyrat e komunës ka lënë edhe flamujt e Kosovës dhe fotografinë e presidentes së shtetit, të cilat pret të respektohen.
“Sa i përket vendimeve gjithçka është marrë sipas ligjit. Nuk kemi pasur shkelje ligjore. Nuk besoj që ka çka ndërhyn aty, ndoshta mund të ndërhyjë por mund të jetë e kundërligjshme sepse gjithçka ka qenë sipas procedurave ligjore. Sa i përket simboleve, nuk besoj që i lejon ministria të betohen pa flamurin e simbolet e Republikës”, ka theksuar ai.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha në një përgjigje për KOHËN se inaugurimi i kryetarëve serbë do të bëhet në përputhje të plotë me ligjet.
Ai bëri të ditur se përfaqësues të MAPL-së do të jenë prezentë në këto seanca.
“MAPL ka krijuar ekipe për monitorimin e seancave inauguruese, të cilat do të jenë të pranishme fizikisht në të gjitha mbledhjet për të siguruar respektimin e të gjitha procedurave kushtetuese dhe ligjore. Në çdo rast kur konstatohet mosrespektim i këtyre procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jo legjitime seancat përkatëse”, ka thënë Krasniqi.
Kryetarët shqiptarë i morën detyrat në maj të 2023-tës përmes zgjedhjeve, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë.
Vendosja e tyre në komuna u bë me asistencë të Policisë, pas rezistencës së dhunshme të serbëve lokalë për të mos i lejuar t’i marrin mandatet.
E të premten, në krye të Mitrovicës do të vendoset Milan Radojeviq, në Zveçan Dragisha Miloviq, në Zubin-Potok Milosh Peroviq e Zoran Todiqi në Leposaviq.