Numri i aktakuzave për dhunë seksuale gjatë luftës, të ngritura gjatë vitit 2025, ka mbërritur në 12, ndërsa janë shpallur dy aktgjykime dënuese me burgim. Për pak ditë do ta nisë të trajtohet edhe një rast i ri në Gjykatën Themelore të Prishtinës - Cvetko Kostiq akuzohet për krime lufte në rajonin e Vushtrrisë. Për shumicën e aktakuzave të ngritura për veprën “Dhunë seksuale gjatë luftës” ndihmë ka ofruar Qendra Kosovare për të Mbijetuarit e Torturës
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka bërë ftesë Cvetko Kostiqit që të përballet me akuzat e Prokurorisë Speciale për dhunë seksuale gjatë luftës, duke e caktuar edhe shqyrtimin fillestar për të hënën nga ora 9 e 30.
Por, aktakuza ndaj Kostiqit, që u ngrit në janarin e vitit të kaluar, është në mungesë e kështu pritet të jetë edhe gjykimi ndaj tij.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKostiqi akuzohet për krime lufte në rajonin e Vushtrrisë në mars të vitit 1998.
“E dëmtuara në pamundësi që të lërë gjyshen e saj, e cila ishte në moshë të shtyrë, ka qëndruar me gjyshen në këtë shtëpi dhe gjatë kohës sa ka qenë në këtë shtëpi kanë ardhur tre policë serbë të armatosur dhe me uniforma të policisë, në mesin e tyre i pandehuri Cvetko Kostiq, i cili e kishte urdhëruar të dëmtuarën F1 që të hynte brenda në shtëpinë, ku pas pak minutave kishin hyrë edhe dy pjesëtarë të forcave serbe të uniformuar, të cilët e detyrojnë të dëmtuarën që të shkonte në një dhomë tjetër, ndërsa gjyshja të qëndronte aty ku ishte”, thuhet në aktakuzën kundër Cvetko Kostiqit.
Në bazë të raportit të Qendrës Kosovare për të Mbijetuarit e Torturës, në vitin 2025 numri i aktakuzave për dhunë seksuale gjatë luftës ka arritur në 12.
“Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli edhe dy aktgjykime dënuese, ku tre kryerës të dhunës seksuale të luftës u dënuan me nga 15 vjet burg; me mbështetjen e QKRMT-së që i ofroi mbështetje të plotë ligjore dhe psikologjike të mbijetuarës, totali i burgimeve për këto krime arrin në 58 vjet. Dy aktakuza të reja për dhunë seksuale gjatë luftës u ngritën, duke e çuar totalin në 12, shumica e të cilave të dokumentuara dhe të përgatitura nga QKRMT”, bëhet e ditur në raportin e QKMRT-së.
Gjatë vitit 2025 janë dënuar dy të akuzuar në mungesë për krime lufte: Dragan Deniq e Ivica Rajkoviq, kurse Zhivojin Neshiq është në paraburgim në Kosovë dhe është i dënuar në shkallë të parë.
Derisa për vrasjet që kanë ndodhur gjatë luftës dënime ka pasur edhe në fillimin e viteve 2000, drejtësia është vonuar për viktimat e dhunës seksuale - krim për të cilin aktgjykimi i parë dënues në Kosovë u dha në vitin 2018.
Në të tri shkallët e gjyqësorit tashmë i dënuar është Zoran Vukotiq, që si në rastin e Kostiqit akuzohet për dhunë seksuale në rajonin e Vushtrrisë.
Instituti CDC i SHBA-së ka vlerësuar se numri i dhunimeve në Kosovë gjatë luftës është rreth 20 mijë.