Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vitin e shkuar u ngritën 15 aktakuza për krime lufte, 10 prej tyre në mungesë

Pallati i Drejtësisë

Fondi për të Drejtën Humanitare ka publikuar të mërkurën raportin vjetor, e në bazë të tij, më 2025 janë ngritur 15 aktakuza për krime lufte në Kosovë ndaj 55 të dyshuarve serbë. Po sipas këtij raporti, vitin e shkuar janë shpallur 10 aktgjykime për krime lufte, ku 10 persona janë dënuar, derisa një është liruar. Përfaqësues të institucioneve, si sfidë kryesore përmendën mosbashkëpunimin e Serbisë në këtë drejtim

Gjatë vitit 2025 janë ngritur 15 aktakuza ndaj 55 të dyshuarve serbë për krime lufte në Kosovë, përfshirë 10 në mungesë të të pandehurve.

Në raportin vjetor të Fondit për të Drejtën Humanitare, “Gjykimet në mungesë për krime lufte: Midis statistikave dhe realitetit të drejtësisë”, i publikuar të mërkurën, thuhet po ashtu se gjatë vitit që shkoi janë shpallur 10 aktgjykime për krime lufte, ku 10 persona janë dënuar, ndërsa një është liruar në mungesë provash.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë prezantimit të raportit, avokati Amer Alija tha se janë monitoruar 182 seanca gjyqësore brenda vitit.

“Raporti tregon se gjatë vitit 2025 janë zhvilluar procedura penale në 50 lëndë kundër 154 pjesëtareve të forcave serbe të akuzuar për krime luftë përfshirë këtu edhe 24 aktakuza në mungesë ndaj 120 të akuzuarve në mungesë.  Gjatë vitit 2025, Departamenti special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shpallur gjithsej 10 aktgjykime për krime lufte. Në këto raste 10 persona janë dënuar dhe 1 person është liruar nga akuza. Në tri prej këtyre rasteve të akuzuarit janë dënuar në mungesë me dënime maksimale prej 15 Vjetësh burgim”, ka bërë të ditur Alija.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, ka thënë se tani është koha kur duhet të veprohet më shumë për të sjellë drejtësi për viktimat, pasi, sipas tij, kalimi i kohës po e vështirëson këtë proces.

“Në këtë kontekst është e rëndësishme t’i shtrojmë disa pyetje kyç: A po arrijmë të balancojmë nevojën për drejtësi me respektimin e standardeve ndërkombëtare? A po u ofrojmë viktimave atë që u është munguar për më shumë se dy dekada, drejtësia efektive dhe e besueshme? Sepse në thelb kjo nuk është vetëm një çështje juridike, është një çështje për drejtësinë e viktimave për familjet e tyre dhe shoqërinë tonë”, ka thënë Blakaj.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jurg Sprecher, ka theksuar se rritja e numrit të aktakuzave nuk nënkupton domosdo drejtësi.

“Derisa kemi rritjen e aktakuzave që adreson aktivitetet e institucioneve dhe progresin, jodomosdo tregon se a po jepet drejtësi. Gjëja më e rëndësishme është nëse këto procese çojnë në llogaridhënie, në gjykimet të drejta dhe ndjesinë e drejtësisë për viktimat. Gjykimet në mungesë duhet të përdoren vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe me përputhje me standardet ndërkombëtare”, është shprehur Sprecher.

Përfaqësues të gjyqësorit dhe Policisë së Kosovës i theksuan sfidat kryesore në trajtimin e këtyre rasteve.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Valon Kurtaj ka thënë se presin që sistemi i drejtësisë të ketë rritje të kapaciteteve. 

“Presim që sistemi të reflektojë në rritjen e kapaciteteve, presim që të kemi mbështetje për trajtimin e këtyre rasteve, mirëpo mendoj që departamenti special po e bën një punë shumë të mirë”, ka thënë Kurtaj.

E sipas Leon Përlaskës, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sfidë në këtë proces paraqet edhe mosbashkëpunimi i Serbisë.

“Problematika kryesore është bashkëpunimi me Serbinë. Pse? Dispozita e nenit 302, 303 në kodin e procedurës penale që e ka rregulluar dhe e ka mundësuar gjykimin në mungesë, e ka vendosur një kriter që është abstrakt. Përpos plotësimin e kushteve formale e ka lënë një obligim për organet e ndjekjes dhe gjyqësorit, një informim gjithëpërfshirës edhe të publikut, por edhe të palëve që përfshihen në gjykim. Na e kemi të pamundur si gjykatë që me arritë qëllimin e gjithë informimit në territorin e Serbisë, këtu është edhe problemi”, ka deklaruar Përlaska.

Bashkim Spahiu, drejtor i Drejtorisë për hetimin e krimeve të luftës në Policinë e Kosovës, ka thënë se përveç mosbashkëpunimi i Serbisë, kjo drejtori po përballet edhe më sfida të tjera.

“Sfidat e drejtorisë mbetën ato që lidhen edhe më bashkëpunimin ndërkombëtar, për shkak se dihet sigurimi i prezencës së të pandehurit në procedurë ndërlidhet shumë me çështjen e bashkëpunimit, në këtë rast me Serbinë. Në raport më sfidat e brendshme, përtej mungesave që lidhen me aspektin e teknologjisë është se në kohën e tranzicionit ka pasur defekt në bartjen e lëndëve në kuptimin elektronik të databazës që është shfrytëzuar nga misioni i EULEX-it. Si nevojë specifike dhe mungesë e prekshme është mungesa e trajnimeve të specializuara për hetuesit”, është shprehur Spahiu.

Gjatë vitit 2024 janë ngritur 14 aktakuza ndaj 25 serbëve të dyshuar për krime lufte. Nga to, gjashtë aktakuza janë ngritur në mungesë ndaj 11 serbëve, ndërsa shtatë të tjera janë ndaj 13 serbëve të arrestuar. 

Fondi për të Drejtën Humanitare çdo vit publikon raporte lidhur me ecurinë e proceseve gjyqësore. Bazuar në to, për rreth 10 mijë viktima të luftës deri më tani janë dënuar gjithsej 84 persona.