Gati 27 vjet pas përfundimit të luftës, janë njohur dhe verifikuar 1,925 raste të dhunës seksuale gjatë luftës. Kryeministri Albin Kurti ka thënë shumë të mbijetuar nuk po aplikojnë për shkak të stigmatizimit. Për pasojë, të dhëna të sakta për dhunimet gjatë luftës nuk ka. Por në një raport të para disa viteve të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, thuhet se kjo shifër arrin deri në 20 mijë
Drejtësi për viktimat e dhunës seksuale është kërkuar në shënimin e 14 Prillit, Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë.
Liderë institucionalë kanë bërë homazhe pranë memorialit “Heroinat” në Prishtinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë mbijetuarit e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi dhe Ramadan Nishori, kanë rikujtuar vuajtjet dhe torturat e përjetuara gjatë luftës, duke bërë thirrje për drejtësi dhe padi ndaj Serbisë.
“Sot u bë një vit që kur kam dalë të flas publikisht. Unë u bëj thirrje prej këtij vendi që çdo i mbijetuar dhe e mbijetuar të vijnë në organizata dhe të kërkojnë ndihmë, si dhe të bëjnë padi kundër shtetit serb”, ka thënë Nishori.
Thirrje për drejtësi ka bërë edhe Vasfije Krasniqi.
“Për mua është shumë e vështirë, sepse para 27 vjetësh, kur isha vetëm 16-vjeçare, isha në duart e armikut, por sot jam këtu për të folur për drejtësinë. Sot e kam të gjithë popullin pranë vetes, sepse për shumë vjet kisha vetëm familjen… Kur kam ditur të kërkoj drejtësi kur kam pasur vetëm 17 vjeç, pse të mos kërkojnë të gjithë drejtësi?”, ka thënë ajo.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se së fundmi janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Gjatë kohës së fundit janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi dhe tri vendime të gjykatave, vendime dënuese për rastet e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. Dy prej tyre janë në Gjykatën Themelore, ndërsa një ka marrë vendimin e formës së prerë”, është shprehur Haxhiu.
Në fjalimin në konferencën rajonale “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: Përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim”, drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, ka deklaruar se drejtësia s’është e plotë pa kompensimin e viktimave.
“Sot jemi mbledhur më 14 prill, në Ditën Memoriale të viktimave të luftës, dhe nderojmë të gjitha ato viktima që përjetuan dhunë gjatë luftës. Kujtojmë guximin e Vasfije Krasniqi Goodman, një vajze të re që padrejtësisht e përjetoi këtë krim, dhe i nderojmë të gjithë ata zëra, vajza e burra, që kërkojnë shërim dhe drejtësi. Kjo konferencë rajonale ka për qëllim avancimin e qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës. Drejtësia nuk përfundon vetëm me përgjegjësi penale, por edhe me rikthim të dinjitetit, pranim të asaj që ka ndodhur dhe kompensim të dëmeve që janë përjetuar në rrethana lufte”, ka deklaruar Rushiti.
Në kuadër të kësaj dite është organizuar edhe një tryezë nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se deri më tani janë njohur dhe verifikuar 1,925 raste të dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa ka theksuar se se shumë të mbijetuar ende nuk po aplikojnë për shkak të stigmatizimit.
“Duhet shtuar angazhimi dhe duhet punuar me qytetarët dhe partnerët që të mos mbetet askush i painformuar dhe i pambështetur. Zëri i tyre është thelbësor në proceset tranzicionale që njohin vuajtjet e së kaluarës dhe inkurajojnë shpresë drejt së ardhmes. Tashmë kemi miratuar dhe po zbatojmë strategjinë për drejtësi tranzicionale. Po ashtu, po bëjmë dokumentimin e krimeve të kryera përmes institucionit të krijuar. Po i mbështesim të mbijetuarit për aplikim në Komisionin Qeveritar duke financuar katër organizata të autorizuara”, ka thënë Kurti.
Nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, dhe ministri Andin Hoti kanë thënë se drejtësia për viktimat mbetet e paplotë, duke shtuar se dhuna seksuale gjatë luftës ishte politikë e organizuar shtetërore nga Serbia.
Ende nuk dihet numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.