Ështe mbajtur seancë solemne për të shënuar Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës. Në seancë u ndezën qirinj për të shënuar këtë ditë dhe prezentë ishin edhe të mbijetuar të dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Ramadan Nishori.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherit kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka theksuar se Kosova do të vazhdojë të dëshmojë me vepra se në çështje të tilla nuk do të mungojë kujtesa dhe as drejtësia.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo"Pak krime e godasin qenien njerëzore me aq egërsi sa dhuna seksuale në luftë, nga se përmes saj sulmohet rrënjësisht vetë dinjiteti njerëzor. Dhuna seksuale si një ndër mjetet më mizore të luftës nuk është dukuri e vonë apo një shfaqje rastësishme e brutalitetit njerëzor. Ajo është e rrënjosur thellë në historinë e luftërave si formë e përsëritur e nënshtrimit dhe shkatërrimit shoqëror", ka thënë ajo.
Haxhiu shtoi se tashmë në proces janë 12 aktakuza për rastet e dhunës seksuale gjatë luftës, një vendim të formës së prerë, një vendim dënues, e po ashtu dy vendime të tjera që presin që të marrin formën e prerë.
"Por drejtësia mbetet e cunguar për aq kohë sa shumë prej autorëve të këtyre krimeve jetojnë sot të lirë në Serbi, të strehuar dhe të mbrojtur nga një shtet që ende nuk është përballur me përgjegjësinë e vet për krimet e kryera në Kosovë dhe që vazhdon të refuzojë bashkëpunimin e plotë në vënien e tyre para drejtësisë. Prandaj përgjigja jonë ndaj këtij krimi nuk mund të kufizohet në kujtesë ceremoniale. Ajo duhet të jetë politike, duhet të jetë juridike e morale", shtoi ajo.
Kryeministri Albin Kurti përmendi se numri i dënimeve mbetet ende i ulët dhe joproporcional me përmasat e mëdha dhe thellësinë e krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Pas 23 vitesh pandëshkueshmëri, në korrik të vitit 2021 u shënua një hap drejt drejtësisë me dënimin e parë të kriminelit të luftës, Zoran Vukotiq, për dhunën seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri. Viteve të fundit po rritet numri i gjykimeve dhe i dënimeve për këto krime lufte që nuk parashkruhen as nuk falen... Ndërkohë që Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimit", theksoi Kurti.
Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, ka ndarë një mesazh të fuqishëm.
“Në këtë sallë drita ka një kuptim tjetër, nuk është vetëm dritë qiriu, është prani, është respekt, është kujtim që nuk shuhet. Për shumë vite drita ka munguar në jetën e shumë të mbijetuarave. Heshtja, stigma dhe mungesa e mbështetjes familjare e shoqërisë ka bërë që shumë histori të mbeten të heshtura. Sot, përmes këtij akti kolektiv, ky kuvend bëhet një hapësirë ku heshtja thyhet dhe zëri ndriçon. Një hapësirë ku solidarizohen, nuk është vetëm fjalë, por është veprim i përbashkët. Çdo qiri që ndezëm sot është një mesazh i qartë: që të mbijetuarat nuk janë vetëm, zëri i tyre ka rëndësi dhe dinjiteti ynë duhet të mbrohet dhe të respektohet”, tha Krasniqi.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, deklaroi se kjo ditë nuk duhet të mbetet vetëm në kuadër të fjalimeve dhe gjesteve simbolike, por duhet të shërbejë si dëshmi konkrete se shteti mban përgjegjësi të plotë përballë të mbijetuarve të dhunës seksuale.
"Të nderuar të pranishëm, kur flasim për këtë kategori kaq të ndjeshme detyra jonë si institucione dhe si shoqëri është në dy drejtime. Përgjegjësia institucionale ka marrë një dimension të veçantë në vitet e fundit. Republika e Kosovës ka avancuar në ndërtimin e mekanizmave për njohjen dhe mbështetjen e të mbijetuarve, duke përfshirë konsolidimin e procesit të njohjes dhe verifikimit të statusit të të mbijetuarve, rritjen e pensionit të kësaj kategorie”, tha Nagavci.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, shtoi se shumë prej këtyre viktimave, gra dhe burra, ende presin që autorët e krimeve të përballen me ligjin.
"Sot, më shumë sesa me fjalë, është e rëndësishme të flasim me kujtesë, për të vërtetën dhe me një guxim që nuk u thye kurrë”, tha.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, u shpreh se asnjë fjalë nuk mund të mbushë zbrazëtirën që krijon dhimbja, por që viktimat duhet të dinë se nuk janë të vetme në këtë rrugëtim të vështirë.
"Nuk ka vend për heshtje përballë krimeve të kryera ndaj nënave, ndaj motrave, djemve dhe baballarëve tanë. Drejtësia përballë këtyre krimeve është obligim i yni dhe pa drejtësi as liria jonë nuk mund të jetë e plotë. E në lirinë e sotme dua të përsëris një zotim, se ne duhet të jemi zëri i atyre që për shumë kohë janë detyruar të heshtin”, tha Lushaku Sadriu.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, kërkoi të hiqen afatet për aplikim, të zgjidhet me ligj çështja e pensionit të dyfishtë për të mbijetuarit e luftës dhe të rritet presioni institucional për ndjekjen e autorëve të këtyre krimeve.
“Ende funksionojmë me afate për aplikim për njohje të statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Ende ka të mbijetuar që detyrohen të luftojnë individualisht për të drejtat e tyre, përfshirë edhe çështjen e pensionit të dyfishtë. Dhe mbi të gjitha, ende kemi mungesë të drejtësisë për autorët e këtyre krimeve. Kjo nuk është vetëm mungesë progresi. Kjo është padrejtësi që vazhdon. Sepse padrejtësia për këto krime nuk është vetëm çështje ligjore, është çështje dinjiteti njerëzor, është çështje e besimit që qytetarët kanë në shtetin e tyre. Dhe pa këtë drejtësi, plagët mbeten të hapura. Prandaj nga kjo foltore ne kërkojmë qartë dhe pa kompromis: të hiqen përfundimisht afatet për aplikim, sepse trauma nuk njeh kalendar institucional. Të zgjidhet me ligj dhe përfundimisht çështja e pensionit të dyfishtë për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës Dhe të rritet presioni institucional dhe ndërkombëtar për ndjekjen penale të autorëve të këtyre krimeve”, tha ajo.