Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu: Ndërkombëtarët t’i bëjnë presion Serbisë që të dorëzojë kriminelët që po i strehon

heroinat

Ushtruesja e detyrës së presidentit dhe njëherësh edhe kryekuvendarja, Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti, ministra, deputetë e të mbijetuar të dhunës seksuale kanë bërë homazhe pranë memorialit "Heroinat" në Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

Haxhiu ka thënë se janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjatë kohës së fundit janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi edhe tri vendime të gjykatave, vendime dënuese për rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku dy prej tyre janë në Gjykatën Themelore, ndërsa një ka marrë vendimin pra të formës së prerë”, tha ajo.

Haxhiu ka deklaruar se gjatë këtyre ditëve kanë adresuar përgjegjësitë në raport me adresimin e krimeve të luftës në përgjithësi.

“Vasfija, e Dani, sikurse edhe Shyretja, sikurse edhe Mart e Tunaj kanë folur për këto krime dhe kjo dëshmon që këta nuk janë fajtorë. Fajtorë janë kriminelët që i kanë kryer këto krime. Prandaj unë thërras sot edhe njëherë që partnerët tanë ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët para institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse siç e dini, Serbia është bërë strehë e kriminelëve të luftës por po ashtu edhe atyre terroristëve që kryejnë krime në kohë të paqes. Është e rëndësishme që institucionet e drejtësisë po e zbatojnë gjykimin në mungesë, sepse si pasojë e asaj që përmenda që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës, ne jemi të detyruar që të mundësojmë gjykimin në mungesë, që sado pak të zbusim dhimbjen e familjarëve por edhe të të mbijetuarve”, tha tutje Haxhiu.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman ka thënë se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet

Ajo është përlotur para mediave kur kujtoi se si 16-vjeçare kishte rënë në dorën e armikut.

“Së pari, para 27 vjetëve, kur isha vetëm 16 vjeçare, isha në dorën e armikut. Sot jam këtu për të folur për drejtësinë, se sot e kam gjithë popullin shqiptar pas vetes, se për shumë vite e kisha vetëm familjen. Dua të falënderoj institucionet, organizatat, shoqërinë, familjen për përkrahje e për mbështetje. Ju bëj thirrje viktimave që me na u bashkëngjitë sa më shumë, me dalë me fol publikisht, por gjëja kryesore është me kërkua drejtësi. Kjo është diçka që nuk i falet Serbisë për krimet që i ka bërë në Kosovë. Kur unë kam ditur me kërkua drejtësi kur i kam pasur vetëm 17 vjet, pse mos me kërkua edhe sot të gjithë drejtësi”, tha Krasniqi.

Ramadan Nishori, i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës i bëri thirrje të mbijetuarve që të flasin publikisht.

“Unë sot u bë një vit kur kam dalë me fol publikisht. Unë prej këtij vendi ju bëj thirrje çdo mbijetuari dhe mbijetuareje që të vijnë sa më shumë nëpër organizata, le të kërkojnë ndihmë, se edhe kemi me bërë padi kundër shtetit serb”, tha ai.

Feride Rushiti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e te Mbijetuarve të Tortures (QKRMT) foli për rëndësinë që të mbijetuarit kanë ngritur zërin për drejtësi.

“Sot kjo ditë për të gjithë shoqërinë kosovare, por mbi të gjitha për të mbijetuarit, për familjarët e tyre, për historinë e Kosovës, shënon memorien kolektive të Kosovës. Ditë kjo e cila është e mbushur me aktivitete, e na vjen mirë që përtej nesh si organizata, krah i kemi edhe institucionet e Kosovës, të cilat me aktivitete të ndryshme po e lansonin edhe po e ngrehin zërin për të mbijetuarit e dhunës seksuale”, ka thënë ajo.

 14 prilli është data kur u dhunua seksualisht Vasfije Krasniqi, e cila publikisht në vitin 2018 rrëfeu për tmerrin e përjetuar.

Numri i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë gra e burra.

Për herë të parë publikisht për tmerrin e përjetuar rrëfeu Vasfije Krasniqi në vitin 2018. Më pas, Shyrete Tahiri ka dorëzuar publikisht pranë Prokurorisë Speciale kallëzimin penal për rastin e saj.

Ramadan Nishori nga Drenasi, është burri i parë që foli publikisht për dhunimin seksual, pikërisht më 14 prill të vitit të kaluar që njihet si Dita Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.