Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Pa të vërtetën nuk mund të ketë drejtësi e as paqe”, Kosova përkujton viktimat e Srebrenicës

srebrenica

Foto: Associated Press

Me thirrje për ruajtjen e së vërtetës historike, drejtësi për viktimat dhe kundërshtim të mohimit të krimeve, u shënua edhe në Kosovë Dita Ndërkombëtare e Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, e cila është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si ditë përkujtimore për viktimat e gjenocidit të vitit 1995.

Ceremonia u organizua nga ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilja Rexhepi, për të nderuar viktimat e gjenocidit, duke theksuar se gjenocidi nuk mund të relativizohet apo të harrohet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

"Srebrenica nuk është thjesht një vend në hartën e Bosnjë dhe Hercegovinës. Srebrenica është emri i turpit më të madh të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Është vendi ku njeriu vrau njeriun, vetëm sepse ishte i një besimi tjetër. Vetëm sepse quhej ndryshe. Vetëm sepse i lutej një Zoti tjetër, siç dinë ta thonë ata. Është vendi ku fëmijët mbetën pa etër, gratë pa burra, nënat pa bij, ndërsa e gjithë bota vështronte dhe shikonte në heshtje teksa vriteshin mijëra e mijëra njerëz. Dhe zotërinj, kjo nuk është thjesht një tragjedi, as ndonjë gabim, e as, siç di dikush të thotë, ndonjë rastësi fatkeqe. Ky ishte gjenocid i kryer nga fqinjët e tyre serbë. I planifikuar, i organizuar dhe i zbatuar në mënyrë sistematike, i konfirmuar nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare", tha Rexhepi.

Ajo shtoi se edhe tri dekada pas krimit vazhdon mohimi i gjenocidit duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të heshtë përballë kësaj tragjedie.

Në të njëjtën frymë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se Kosova qëndron pranë Bosnjë e Hercegovinës dhe familjeve të viktimave, duke nënvizuar se pa të vërtetën nuk mund të ketë drejtësi dhe as paqe.

"E mbështesim të drejtën e tyre për drejtësi, për kujtesë dhe për një të ardhme në cilën viktimat e familjet e tyre nuk detyrohen ta dëshmojnë pafundësisht krimin, humbjen dhe të vërtetën që gjykatat tashmë e kanë vërtetuar. Pa të vërtetën nuk mund të ketë as drejtësi, por as paqe. Drejtësia ndërkombëtare për krimet e kryera në Srebrenicë ka dënuar tetëdhjetë persona. Ajo që mbetet të gjykohet sot është gatishmëria e shoqërive dhe e institucioneve për t'u shkëputur nga trashëgimia e krimit. Kur kriminelët e dënuar paraqiten si heronj nuk shtrembërohet vetëm e kaluara. U dërgohet brezave të rinj mesazhi se krimi mund të arsyetohet, se viktima mund të harrohet dhe se përgjegjësia mund të kthehet në krenari. Kjo është e papranueshme për çdo shoqëri që synon paqen, por edhe demokracinë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për viktimat e gjenocidit", tha Haxhiu.

Mesazhin se mohimi i gjenocidit nuk cenon vetëm të kaluarën, por rrezikon edhe të ardhmen, e përcolli edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

"Mohimi i largon autorët nga përgjegjësia, i detyron viktimat të vërtetojnë pafundësisht dhimbjen e tyre dhe e paraqet drejtësinë si një pengesë për stabilitetin. Në realitet, stabiliteti rrezikohet pikërisht atëherë kur shoqëritë nuk distancohen nga ata që kanë vrarë në emër të tyre. Përgjegjësia e Serbisë ndaj Srebrenicës nuk mund të mbyllet me heshtje e as të zëvendësohet me një gjuhë të përgjithshme për pajtimin. Gjenocidi nuk ishte një shmangie e rastësishme nga rrjedha e historisë, por pasojë e një politike që nacionalizmin e shndërroi në projekt, propagandën në përgatitje të dhunës, ndërsa aparatin shtetëror në instrument të pastrimit etnik", tha Kurti.

Mysafir në këtë ceremoni ishte edhe deputeti i Kuvendit të Bosnjë e Hercegovinës, Xhemal Smajiq. Ai tha se përkujtimi i gjenocidit në Srebrenicë tregon se rreziku mbetet i pranishëm sa herë që krimet mohohen dhe ideologjitë e urrejtjes e të përçarjes nuk ndalen.

“Obligimi ynë nuk është vetëm t'i kujtojmë viktimat, por edhe të ndërtojmë një shoqëri në të cilën një e keqe e tillë nuk do të përsëritet kurrë më. Bosnja e Hercegovina dhe Kosova ndajnë përvojën e luftës për paqe, liri dhe siguri të qytetarëve të tyre. Dy vendet tona janë të lidhura me lidhje njerëzore, historike dhe politike, por mbi të gjitha me mirëkuptimin se sa e rëndësishme është të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe vlerat demokratike", tha Smajiq.

Nga ana tjetër, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se rezolutat e propozuara prej vitesh në Kuvendin e Serbisë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë nuk janë lejuar as të diskutohen.

"Edhe sot, 34 vjet më vonë, Serbia nuk ka bërë shkëputjen e domosdoshme nga kjo politikë. Mohimi i gjenocidit, relativizimi i vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës vazhdojnë të jenë pjesë e diskursit publik dhe politik në Serbi. Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi ndaj viktimave, është pengesë serioze për pajtimin, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit. Për këtë arsye, prej vitesh, bashkë me deputetët e SDA-së së Sanxhakut, në Parlamentin e Serbisë kam propozuar një rezolutë për dënimin e krimit dhe gjenocidit në Srebrenicë. Asnjëherë nuk është lejuar diskutimi. Por refuzimi i debatit nuk e ndryshon të vërtetën. Gjenocidi mbetet gjenocid, e vërteta nuk mund të mohohet nga heshtja", deklaroi Kamberi.

Gjenocidi i Srebrenicës, i kryer në korrik të vitit 1995, është njohur nga gjykatat ndërkombëtare si gjenocid. Mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës, ndërsa 11 korriku shënohet tashmë në nivel ndërkombëtar si ditë përkujtimore për viktimat e këtij krimi.