•E premte, 13 shkurt: Mbrojtja e Selimit përmbyll fjalën e saj dhe fillon mbrojtja e Jakup Krasniqit
•E hënë, 16 shkurt: Krasniqi përmbyll fjalën përfundimtare dhe anëtarët e trupit gjykues mund të parashtrojnë pyetje
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo•E mërkurë, 18 shkurt: ZPS-ja u përgjigjet ekipeve mbrojtëse dhe anasjelltas si dhe deklarohen edhe të pandehurit
Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, që po gjykohen në Hagë për krime lufte, do të vazhdojnë sot me paraqitjen e fjalëve përfundimtare.
Atë pitet ta përmbyllë mbrojtja e Rexhep Selimit dhe ta nisë ajo e Jakup Krasniqit.
Seanca do të nisë në orën 9:00 dhe transmetohet me 45 minuta vonesë.
Të enjten mbrojtja e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli ka paraqitur fjalën përfundimtare para Dhomave të Specializuara. Avokati Rodney Dixon ka thënë se Veseli ka marrë pjesë në një pjesë të vogël të takimeve të Shtabit të Përgjithshëm dhe se edhe në to nuk pati gjë inkriminuese.
Paraqitjen e fjalës përfundimtare e ka nisur mbrojtja e ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e cila ka theksuar se ndërmarrja e përbashkët kriminale nuk është vërtetuar nga prokuroria.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.
Mbrojtja: Provat janë kontradiktore, nuk mbështesin fajësinë e Rexhep Selimit
Avokatja e Rexhep Selimit, Furtuna Sheremeti, ka thënë se provat e ZPS-së nuk tregojnë se ai ka kryer krime, derisa kërkesën për 45 vjet burgim e cilësoi si burgim të përjetshëm.
“Nuk ka prova që ta mbështesin fajësinë në asnjë prej pikave të aktakuzës për Selimin. Duhet të shpallet i pafajshëm dhe nuk mund të flitet për masë dënimi”, ka thënë ajo, duke e quajtur kërkesën e ZPS-së për 45 vjet burgim “shproporcionale dhe të paprecedent”.
E, avokati kryesor i Selimit, Geoffrey Roberts, përmbylli deklaratat e mbrojtjes për Selimin.
“Provat kundër tij janë kontradiktore dhe nuk kanë besueshmëri e janë të pabazuara. Veçmas pretendimet që ai ka marrë pjesë në ndonjë krim të pretenduar”, tha Roberts.
Pas mbrojtjes së Rexhep Selimit, mbrojtja e Jakup Krasniqit do të nisë deklaratat përmbyllëse.
VIDEO:
Avokati thotë se fotoja e Selimit me uniformë të zezë që e paraqiti ZPS-ja nuk qëndron si provë
Avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully, ka thënë se ZPS-ja nuk e ka bërë të qartë autorësinë e materialeve për akuzat që ia ka bërë Selimit.
Ai ka përmendur një prej fotografive që prezantoi ZPS-ja ku shihej Selimi me uniformë të zezë dhe kur arsyetoi se kjo tregonte se ai kishte ndërruar atëherë pozitën. Tully ka theksuar se Prokuroria në asnjë moment nuk ka vërtetuar që ndërrimi i uniformës, sidomos në një ushtri si ajo e UÇK-së, kishte të bënte me ndërrim pozite.

“Pjesa e tjetër e provave të paktën të ZPS-së për lidhjen e Selimit me policinë janë disa fotografi që Prokuroria ka gjetur, ku Selimi është veshur me uniformë të zezë. Prokuroria të hënën na tha që të paktën në qershor 1999, Selimi e kishte ndryshuar uniformën e vet lara lara në të zezë duke spekuluar se kishte një lloj ndryshimi në detyrat dhe përgjegjësitë e Selimit, kjo u tha nga Prokuroria. Dhe Prokuroria e tregoi këtë imazh për të mbështetur qëndrimin e vet, megjithatë në asnjë pikë në gjykimin e vet nuk e ka vërtetuar Prokuroria që një person që vesh një uniformë të zezë, apo një uniformë tjetër kjo në vetvete është një tregues se ky person i përket policisë ushtarake, e aq mund të jetë kjo për një polici ose ushtri si ushtria e UÇK-së që nuk kishte rregulla strikte sa i takon veshjes së uniformave”, ka thënë ai.
Avokati ka ripërsëritur se ZPS-ja nuk ka arritur të provojë argumentin e vet kundër Selimit.
“Pavarësisht dokumenteve të shumta të pranuara nga trupi gjykues, ZPS-ja nuk ka arritur që të provojë argumentin e vetë përtej dyshimit të arsyeshëm. Jo vetëm kaq, por ekziston një mungesë e tërë e dokumenteve operative të dërguara nga Ministria e rendit publik, në drejtim të policisë ose e kundërta, gjë e cila nuk vërteton përfshirjen e Selimit dhe fakti që ai ka pasur kontrolle mbi policinë. ZPS-ja nuk ka dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mos veprimet e Selimit si ministër i rendit publik kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë, apo që ai është përgjegjës për veprimet e personave të tjerë lidhur me kryerjen e krimeve të ngritura në aktakuzë”, shtoi Tully.
VIDEO:
Mbrojtja e Selimit: ZPS-ja s’ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e veta
Mbrojtja e Rexhep Selimit ka nisur deklaratat përmbyllëse duke paralajmëruar se do t’i trajtojë tri tema, pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për rolin e Selimit si ministër i Rendit Publik, pretendimet për disa shkrime dore të pretenduara si të Selimit dhe për disa përjashtime që mbulon ZPS në dosje.
Avokati Eric Tully ka kundërshtuar pretendimin e ZPS-së se Selimi ka pasur kontroll mbi Policinë si ministër i Rendit Publik. Ai ka theksuar se “ZPS-ja nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta”.
Termin “Policia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” Tully e ka quajtur tezë të Prokurorisë, të cilën ka thënë se ajo e ka krijuar për të dhënë përshtypjen e gabuar se ekzistonte një lloj policie që drejtohej nga Selimi.
Derisa ka thënë se nuk ka pasur asnjë forcë policie të krijuar në prill 1999 dhe se nuk ka asnjë provë që vërtetojnë një pretendim të tillë të ZPS-së.
“Çështja kryesore në trajtim të ZPS-së ka të bëjë me faktin e kontrollit në qoftë se Selimi ka të bëjë më policinë si ministër i Rendit Publik. ZPS-ja nuk ka arritur që të vërtetojë argumentet e veta. Për të qenë të qartë Policia e UÇK-së është një tezë e ZPS-së e hartuar si një kosh ku ZPS-ja mund të hidhte sa më shumë dëshmi përmes provave jogojore duke dhënë përshtypjen e gabuar që ekzistonte një forcë policie dhe që drejtohej nga Selimi si një ministër i Rendit Publik, pra është një përpjekje e ZPS-së për të dhënë një përshtypje të gabuar, ndërkohë që ky argument nuk qëndron. Sikurse e kemi thënë, pas qershorit UÇK-ja dhe policia ushtarake e UÇK-së, ka qenë nën komandë dhe nën strukturë dhe ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave, nuk ka qenë në përgjegjësinë e Selimit", tha ai.
Tully ka theksuar se Prokuroria nuk ka dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mosveprimet e Selimit si ministër i Rendit Publik kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë dhe që ai është përgjegjësi për veprimet e personave tjerë lidhur me kryerjen e krimeve të pretenduara në aktakuzë.
Ai ka thënë se Prokuroria nuk ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e veta, teksa ka përmendur edhe mospërputhjet në dosjen e Prokurorisë, për mënyrën se si i referohet Selimit: diku si person me kontroll operacional mbi policinë, ndërsa diku tjetër pretendon se ai kishte autoritet operacional mbi policinë, dhe që ai ishte i pozicionuar për të udhëzuar persona.
"Mungesa e dokumenteve operative që mbështesin pretendimet e ZPS-së, sa i takon kontrollit së Ministrisë së Rendit Publik mbi policinë ushtarake, është domethënës lidhur me këtë. Disa dokumente të cilat janë mbledhur prej prokurorisë nuk tregojnë që Selimi ka pasë ndonjë autoritet funksional ose ka ushtruar ndonjë kontroll mbi ndonjë forcë policie. Të martën këtë javë, në transkriptë Prokuroria iu referua argumenteve në paragrafët 470,473 të dosjes tonë lidhur me kundërshtimin e mbështetshmërisë së provës 02525 që janë procesverbale të një takimi të datës 2 gusht 1999, ku Selimi ka qenë i pranishëm. Prokurori i quajti ata të rreme, ndërkohë që pavarësisht kësaj shtrembërojnë tërësisht argumentet e këtyre dokumenteve. ZPS-ja në paragrafin 151 të dosjes së vet, pretendonte që paralelisht me emërimin e Selimit në prill të 1999-tës ishte krijuar dhe një polici e ministrisë së rendit publik, kjo nuk është e vërtetë".