Arbëri

Në Shtime janë mbyllur disa shkolla shkaku i rasteve të reja

Ka shkuar në rreth 90 numri i rasteve aktive me koronavirus në Komunën e Shtimes.

Rritja e numrit të të infektuarve ka bërë që disa shkolla të mbyllen dhe mësimi tash të mbahet “online”, raporton KOHA.

Në mesin e tyre është edhe shkolla speciale “Shpresa”, që i trajton fëmijët me aftësi të kufizuara, për shkak të infektimit të tre nxënësve dhe disa mësimdhënësve.

“Prej të Shtunës na kanë dalë 3 nxënës pozitivë dhe sot këshilli i shkollës jemi tubuar dhe kemi vendosur për 2 javë nxënësit të shkojnë me mësim online për arsyeje që mos të bëhet bartja e nxënësve te nxënësit e tjerë”, ka deklaruar Havë Shahini, drejtoreshë e Shkollës Speciale në Shtime.

Ndërkohë Shtabi emergjent në Komunën e Shtimes është mobilizuar dhe ka marrë vendim që t’i mbështesë të gjithë fëmijët nevojtarë për pajisje elektronike që ta ndjekin mësimin nga distanca.

Edhe prindërit po kërkojnë pajisje elektronike për nxënësit që nuk kanë mundësi ta ndjekin mësimin online nga distanca.

“Tash që kanë për të mësuar online” nuk kemi paisje sepse telefonin e kam të prishur. I kisha bërë lutje që tna sjellin një telefon ose një lloptop”, thotë Hanife Rexha, prind.

Kryetari i Shtimes, Naim Ismajli, ka deklaruar se janë mobilizuar me të gjithë mekanizmat për ta ruajtur shëndetin e qytetarëve e veçanërisht shëndetin e nxënësve.

“Jemi mobilizuar në të gjitha drejtimet, kemi ndarë edhe fonde dhe raste të donacioneve për disa familje nga individ dhe biznese që kanë shprehur dëshirë që t’ju dhurojnë me teknologji por edhe ne kemi paraparë në kuadër të pakos tjetër për rimëkëmbje që të shohim se ata nxënës që kanë nevojë ne do t’i përkrahim në mënyrë që mos të ketë pengesa në mbarëvajtje të mësimit online”, ka thënë Naim Ismajli, kryetar i Komunës së Shtimes.

Në mesin e rreth 90 rasteve pozitive në këtë komunë disa janë edhe zyrtarë komunalë. Ndërkohë që nga fillimi i pandemisë kanë vdekur 11 persona dhe janë shëruar gjithsej 143 pacientë.