Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Podujevë fillon vendosja e kamerave të sigurisë

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme është informuar për gjendjen e sigurisë në komunë, sigurinë në shkolla dhe dinamikën e realizimit të projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet.

Siç njofton komunikata, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në Komunë; është informuar për sigurinë në shkolla dhe masat për ngritjen e sigurisë si dhe është informuar për realizimin e projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet

Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Zogiani, tha se gjendja e sigurisë në komunë është e qetë dhe stabile.

Komandanti Bislimi tha se Policia është fokusuar në shtimin e aktiviteteve në parandalimin e aksidenteve dhe krijimin e sigurisë në komunikacion.

Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e kanë vlerësuar të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, duke raportuar për gjendjen e sigurisë në shkolla tha se ajo është e mirë dhe se ka mbarëvajtje të rregullt të procesit mësimor në të gjitha shkollat.

Edhe Situata e sigurisë në Podujevë vlerësohet e qetë Arbëri Situata e sigurisë në Podujevë vlerësohet e qetë

Në funksion të një mjedisi të qetë dhe të sigurt në institucionet shkollore drejtori Blakçori tha se janë mbajtur mbledhje me drejtorët e shkollave. Më tej, drejtori Blakçori tha se në bashkëpunim edhe me mekanizma të tjerë nëpër shkolla po organizohen ligjërata tematike për vetëdijësimin e nxënësve kundër dukurive negative.

Në takim u tha se me qëllim të sigurisë së nxënësve, në shkollat që janë larg vendbanimeve, po vazhdon të sigurohet transporti i nxënësve e gjithashtu po investohet në ndërtimin e trotuareve dhe ndriçimit publik në rrugët që shpiejnë te shkollat. Shqetësim dhe kërcënim serioz për sigurinë fizike të nxënësve vazhdojnë të paraqesin qentë endacakë. Andaj u kërkua nga Qeveria e Kosovës që sa më parë të ndërmarr masa në eliminimin e këtij rreziku.

Lidhur me projektin e vendosjes së kamerave të sigurisë që realizohet në bashkëpunim edhe me Stacionin Policor të Kosovës, drejtori i Drejtorisë së Administratës, Gëzim Namani, tha se tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat e tenderimit dhe operatori i përzgjedhur ka filluar me vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet.