Në mesin e 11 viktimave që u vranë të martën në një shkollë në Grazë të Austrisë është edhe një vajzë nga qyteti i Vitisë. Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti i ka shprehur ngushëllime familjes Bajrami.
“Me pikëlloi pa masë lajmi për humbjen tragjike të vajzës suaj Leas nga Komuna e jonë, e cila humbi jetën në sulmin e rëndë që ndodhi sot në qytetin e Grazit në Austri. Kjo ngjarje e rëndë na ka prekur të gjithëve thellësisht. Humbja e një jete të re, me ëndrra dhe shpresë për të ardhmen, është një plagë që lë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e secilit prej nesh”, ka shkruar Haliti në Facebook, teksa i shpreh ngushëllime familjes së vajzës së vrarë.
Haliti i ka shprehur ngushëllime edhe kryetares së Grazit, Elke Kahr.
Një 21-vjeçar me shtetësi austriake të martën ka hyrë në ish-shkollën ku ishte nxënës dhe ka shtënë me armë e pistoletë disa herë, duke vrarë të paktën 10 persona deri tash dhe ka plagosur 12. I dyshuari është gjetur i vetëvrarë në banjo të shkollës. Gjendja e disa prej të plagosurve është e rëndë.
E Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka thënë se nga të dhënat e Policisë austriake, në mesin e viktimave janë një shtetas i huaj me origjinë nga Polonia dhe viktimat tjera janë shtetas austriakë, ndërsa nuk ka me shtetësi nga Kosova në radhët e viktimave apo të plagosurve.
Por, MPJD ka thënë se nga burime jozyrtare ka mësuar se në mesin e viktimave mund të jetë një e mitur me prejardhje nga Kosova, L.B. e lindur në Austri në vitin 2010.
“Nga të dhënat e deritanishme të konfirmuara nga Policia Austriake, në mesin e viktimave gjendet vetëm një shtetas i huaj me origjinë nga Polonia, viktimat e tjera janë shtetas austriakë, ndërsa shtetas nga Kosova, nuk ka as në mesin e të plagosurve. Nga burime jozyrtare kemi mësuar se në mesin e viktimave mund të jetë edhe një e mitur me prejardhje nga Kosova, L.B. e lindur në Austri në vitin 2010. Autoritetet austriake nuk kanë publikuar ende një listë zyrtare të plotë të viktimave dhe të lënduarve, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe moshës së të përfshirëve”, thuhet nga MPJD.