Botë

Shkon në 11 numri i të vdekurve nga sulmi në Graz

Graz

Foto: Associated Press

(Përditësuar 21:12) - Gjendet një shënim ku sulmuesi i Grazit thotë se ndihej i bullizuar

Gazeta austriake “Krone” ka raportuar se policia ka gjetur një shënim gjatë kontrollit të një shtëpie në lagjen Graz-Umgebung, pas sulmit në një shkollë në Graz të Austrisë mëngjesin e së martës.

Autori i sulmit nga i cili kanë mbetur të vdekur 10 persona, sipas shënimit, ndihej i ngacmuar.

Ai është 21-vjeçar austriak me inicialet Artur A dhe ish-nxënës i shkollës ku e ka kryer sulmin.

Në sulm kanë mbetur të vdekur 9 persona, përfshirë sulmuesin, ndërkaq një tjetër person ka vdekur më pas në spital, duke e çuar në total numrin e të vdekurve në 11.

Austria ka shpallur tri ditë zie kombëtare. Flamujt do të ulen në gjysmë shtizë në të gjithë vendin dhe festimet publike do të anulohen ose shtyhen. 

Shërbimet mortore tashmë po mbahen në Graz. 


(Përditësuar: 18:44) - Ka shkuar në 11 numri i të vdekurve nga sulmi në një shkollë në qytetin Graz të Austrisë, të martën në mëngjes.

Viktima e 11-të ka vdekur në spital.

Ndërkohë nga 12 persona të tjerë që janë të plagosur, nëntë prej tyre raportohet se janë në gjendje të rëndë. 

Autori i sulmit, një 21-vjeçar austriak, ka kryer vetëvrasje në një tualet shkolle pas aktit të tmerrshëm.

Sipas informacionit nga gazeta "Krone", një shënim është zbuluar gjatë një kontrolli shtëpie në lagjen Graz-Umgebung. 

Austria ka shpallur tre ditë zie kombëtare. Flamujt do të ulen në gjysmë shtizë dhe festimet publike do të anulohen ose shtyhen.


(Përditësuar 18:03) - Dy nga të plagosurit në Graz janë në gjendje kritike

Dy nga 12 personat që kanë mbetur të plagosur nga sulmi në një shkollë në Graz të Austrisë të martën në mëngjes, ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Lajmin e ka bërë të ditur një ofrues lokal i kujdesit shëndetësor në një njoftim për shtyp në faqen e tyre të internetit.

KAGes, i cili operon në Graz dhe pjesën tjetër të rajonit të Steiermark në Austri, thotë se pesë të tjerë janë "të plagosur rëndë".

Ofruesi i kujdesit shëndetësor po trajton gjithsej 12 persona që u plagosën në të shtënat, thuhet më tej në deklaratë.

Nëntë persona, kanë mbetur të vdekur kur një 21-vjeçar ka sulmuar me armë zjarri në shkollë.

I vdekur është edhe sulmuesi i dyshuar, i cili besohet se ka kryer vetëvrasje pas sulmit. 


Një 21-vjeçar austriak është i dyshuar për sulmin në një shkollë në Graz të Austrisë, të martën në mëngjes.

I dyshuari ishte ish-nxënës i shkollës.

Oficerët e policisë lokale thonë se ai vdiq nga vetëvrasja në banjën e shkollës.

Ata ende po hetojnë motivin, teksa kanë konfirmuar se i dyshuari ka përdorur dy armë gjatë sulmit të cilat i posedonte legalisht.

Ndërkohë, viktimat e vrarë në sulm janë gjashtë vajza dhe tre djem, thonë zyrtarët.

Ministri i Brendshëm Gerhard Karner ka konfirmuar se janë nëntë të vdekur. Pos tyre, ka vdekur edhe i dyshuari.

Ai ka thënë se të plagosur kanë mbetur 12 të tjerë.


(Përditësuar 15:33) - Austria shpall tri ditë zie për sulmin në Graz

Kancelari austriak, Christian Stocker, ka thënë shprehur ngushëllime për familjet dhe prindërit që kanë humbur fëmijët në sulmin e së martës në një shkollë në Graz.

Në një konferencë për media të martën pasdite, Stocker ka shpallur tri ditë zie, që do të mbahen duke filluar nga e mërkura, raporton BBC.

"Në këto orë të vështira, të qenit njerëzor është pika jonë më e fortë", ka thënë Stocker.


(Përditësuar: 14:26) - Të paktën 30 të plagosur nga sulmi në Austri

Mediat austriake kanë raportuar se 30 persona kanë mbetur të plagosur në të shtënat, mëngjesin e së martës në Graz të Austrisë.

Sipas raportimeve, ata po trajtohen në spital.

Të paktën 10 persona kanë mbetur të vdekur kur një person ka shtënë me armë zjarri në një shkollë në Graz, ka konfirmuar policia austriake. 

Policia ka thënë se në mesin e të vdekurve është edhe dorasi, i cili besohet se pas aktit ka kryer vetëvrasje.

Sipas mediave austriake, i dyshuari për sulmin ishte ish-nxënës i shkollës. 


Të paktën 10 të vrarë në Graz, përfshirë të dyshuarin

(Përditësuar: 12:40) - Kryetarja e Bashkisë së Grazit, Elke Kahr, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve austriake (APA) se dhjetë persona janë vrarë nga të shtënat e së martës në gjimnazin Dreierschützengasse.

Ajo e përshkroi sulmin si “tragjedi të tmerrshme”.

Sipas APA-së, shtatë nga të vdekurit janë nxënës të shkollës.

VIDEO:

 

 

Kahr ka bërë të ditur se gjuajtësi ishte në mesin e të vdekurve. Mendohet se ai ishte ish-nxënës i shkollës dhe se bazuar në njoftimin e policisë ka shumë gjasa që ai e ka vrarë veten pasi e ka kryer aktin.

Foto: AP

Policia austriake konfirmon se dhjetëra persona janë vrarë e plagosur

(Përditësuar: 12:05) - Autoritetet policore kanë mbajtur një konferencë për shtyp në Graz të Austrisë, duke konfirmuar se dhjetëra persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur si rezultat i sulmit në shkollën e mesme Dreierschützengasse.

Policia ka refuzuar të ofrojë komente mbi numrin e saktë të viktimave, por disa burime austriake kanë raportuar se të paktën nëntë persona janë vrarë, përfshirë dorasin.

VIDEO:

 

 

Kryetarja e bashkisë, Elke Kahr, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve APA se personi i dyshuar është në mesin e të vrarëve.

Një zëdhënës i policisë ka shtuar për mediat austriake se ai ishte nxënës i shkollës së lartcekur.

Policia tashmë ka konfirmuar se shkolla është e sigurt dhe nuk ka rrezik.


Pesë të vrarë nga sulmi në një shkollë në Austri

Të paktën pesë persona janë vrarë si pasojë e sulmit në një shkollë në qytetin austriak të Grazit dhe disa të tjerë janë lënduar, ka raportuar tabloidi austriak “Kronen Zeitung” të martën.

Tek ka cituar autoritetet policore, mediumi shtetëror ORF ka bërë të ditur se dhjetëra persona kanë pësuar lëndime serioze, përfshirë studentët dhe mësuesit. 

Bazuar në raportimet e deritanishme, dorasi ka qenë një nxënës, i cili besohet se ka vrarë veten pas aktit.

Policia ka njoftuar se një operacion është në zhvillim e sipër në rrugën Dreierschuetzengasse, porse ka refuzuar të ofrojë komente shtesë.

Në këto momente, policia është duke i evakuuar të gjithë personat që ndodhen brenda ndërtesës.

FOTO: AP

Liderët evropianë reagojnë pas sulmit në Graz

17 o. më parë / 10 qer 2025 15:20
Graz

Photo: Associated Press

Shumë udhëheqës evropianë kanë shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e tyre me popullin austriak, përfshirë kryeministrat dhe presidentët e fqinjëve të Austrisë dhe vendeve të tjera të BE-së, pas sulmit në Graz, ku raportohet se kanë mbetur 10 të vdekur.

“I tmerruar nga lajmi për të shtënat në shkollën në Graz. Një akt dhune i pakuptimtë në një vend ku fëmijët duhet të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur. Mendimet e mia në këtë moment të vështirë janë me familjet dhe miqtë e viktimave”, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.

“Lajme të tmerrshme nga Grazi. Mendimet tona janë me miqtë dhe fqinjët tanë austriakë”, ka thënë kancelari gjerman, Friedrich Merz

Ngushëllime ka shprehur edhe kryeministri britanik, Keir Starmer.

“Mendimet tona janë me secilin të prekur dhe me popullin e Austrisë”, ka thënë zëdhënësi i tij. 

Kryeministri hungarez, Viktor Orban po ashtu ka shprehur ngushëllimet e tij për Austrinë.

"Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave”, ka shkruar ai.

“Jam thellësisht i tronditur nga lajmi tragjik i sulmit në shkollën në Graz. Është jashtëzakonisht e dhimbshme kur ndodh diçka e tillë - veçanërisht në një vend që synon të simbolizojë sigurinë. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të prekurit. Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për të gjithë të dashurit e tyre”, ka thënë kryeministri çek, Petr Fiala.

“Jam thellësisht i tronditur nga lajmi për të shtënat në shkollën në Graz. Shkollat duhet të jenë fenerë të të mësuarit dhe shpresës, ku çdo fëmijë ndihet i sigurt. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe të prekurit. I shpreh ngushëllimet tona të përzemërta popullit të Austrisë”, ka shkruar kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.