Austria mbajti një minutë heshtje të mërkurën, në kujtim të 10 viktimave të një sulmi të përgjakshëm me armë në një shkollë në qytetin Graz, që përfundoi me vetëvrasjen e autorit. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë, shkruan Associated Press. Në mesin e viktimave ishte një vajzë e mitur me origjinë nga Kosova.
Shteti austriak ka shpallur tre ditë zie kombëtare pas kësaj që po konsiderohet si sulmi më vdekjeprurës në historinë e Austrisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në orën 10:00 të së mërkurës – në të njëjtën orë kur një ditë më parë policia u alarmua për të shtënat në gjimnazin “BORG Dreierschützengasse” – vendi mbajti heshtje për një minutë.
Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit Graz, qyteti i dytë më i madh në Austri. Disa prej tyre vendosën qirinj dhe lule pranë bashkisë, duke shtuar te memoriali që nisi të formohet që nga e marta në mbrëmje. Njerëzit u përqafuan mes lotëve, duke u përpjekur të përballonin tronditjen.
Edhe në kryeqytet, Vjenë, autoritetet lokale të transportit publik ndalën tramvajet, metrotë dhe autobusët për një minutë, në shenjë nderimi.
Policia austriake konfirmoi se gjatë kontrollit në banesën e autorit – një 21-vjeçar austriak, ish-nxënës i po së njëjtës shkollë, por që nuk kishte përfunduar studimet – është gjetur një letër lamtumire si dhe një bombë artizanale që nuk ishte funksionale.
Sipas policisë, autori kishte përdorur dy armë – një pushkë gjahu dhe një pistoletë – me leje. Letra e lënë pas, si në formë fizike ashtu edhe digjitale, nuk ka ndihmuar hetuesit të kuptojnë arsyen e sulmit.
“Letra lamtumirëse ekziston, por nga ajo nuk mund të kuptohet asnjë motiv”, ka thënë drejtori i sigurisë publike në Ministrinë e Brendshme të Austrisë, Franz Ruf, për televizionin ORF. Ai shtoi se ende po hetohet nëse autori kishte shënjestruar persona të caktuar apo kishte vepruar rastësisht.