Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në mars pati më shumë raste me COVID-19 se në janar e shkurt bashkë

Me një mesatare prej 700 rastesh të reja në ditë, muaji mars del të jetë më i rëndi për Kosovën sa i përket COVID-19. Saktësisht 21 mijë e 708 raste të reja janë regjistruar për 31 ditët e këtij muaji, ndërsa betejën me virusin e kanë humbur 276 persona.

Viti 2021 nisi me 51 mijë e 502 raste pozitive të regjistruara. Sot, 1 prill, Kosova ka arritur në 91 mijë e 405 raste. Për tre muajt e parë të vitit u regjistruan 39 mijë e 903 raste të reja me koronavirus, me muajin mars që për 31 ditë pati më shumë raste se në janar e shkurt bashkë. Në muajin janar ishin regjistruar 8998 raste të reja, ndërsa në shkurt 9197.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shifra alarmante u regjistruan te rastet e vdekjes. Më 1 janar, Kosova kishte hyrë me 1336 raste të vdekjes si pasojë e COVID-19. Për tre muaj në Kosovë humbën jetën, si pasojë e virusit, 548 persona. Me 12 vdekjet e regjistruara të enjten, shifra e të vdekurve nga COVID-19 në Kosovë ka arritur në 1884. Në janar vdiqën 167 persona, në shkurt 105, ndërsa në mars 276.

Lëvizje të dukshme në tre muajt e parë të vitit ka pasur edhe tek rastet aktive. Teksa viti nisi me 8314 raste aktive me COVID-19, sot janë 13 mijë e 874.

Deri tash në nivel vendi janë kryer 430 mijë testime. Vetëm në tre muajt e parë të vitit janë bërë rreth 250 mijë.

Shtimi i rasteve të reja ka komplikuar punën edhe në klinikat dhe spitalet e Kosovës që janë mbushur përplot me pacientë. Në SHSKUK po trajtohen 900 pacientë, me mbi 700 prej tyre që janë nën asistim të oksigjenoterapisë.

Rritja e rasteve javëve të fundit, sipas ekspertëve shëndetësorë, i atribuohet tubimeve elektorale të partive në fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit. Asnjë nga partitë në garë nuk respektoi masat anti-COVID, duke tubuar shumë njerëz në hapësira të vogla pa mbajtur fare distancë.

Pavarësisht shifrave alarmante në vend, Kosova është shumë mbrapa me procesin e vaksinimit. Deri tash janë vaksinuar vetëm një pjesë e stafit shëndetësor. Kjo falë 24 mijë dozave të vaksinës së “AstraZenecës”, të sjella në Kosovë nëpërmjet programit COVAX.