Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ndrejaj: IVF-ja, e arritura më e madhe e shëndetësisë në Kosovën e pasluftës

Shefi i repartit të Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Zef Ndrejaj, e ka cilësuar futjen e shërbimit të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF) në sektorin publik si një nga arritjet më të rëndësishme të shëndetësisë në Kosovë pas luftës.

Sipas tij, IVF-ja përfaqëson një hap të madh përpara, duke qenë një ndër shërbimet më të avancuara dhe më të nevojshme për pacientët që përballen me infertilitet.

“IVF-i si shërbim i ri në Gjinekologji, në institucione publike, mund të them se është ndoshta e arritura më e madhe e shëndetësisë së Kosovës pas lufte. S’kemi shërbim tjetër më të avancuar dhe më të nevojshëm se IVF-ja”, u shpreh Ndrejaj në “60 Minuta” të KTV-së të premten.

Ai bëri të ditur se deri më tani mbi 2 mijë paciente janë paraqitur për trajtim, por theksoi se jo të gjitha i nënshtrohen menjëherë procedurës së IVF-it. Fillimisht, shumica trajtohen me metoda më të thjeshta, ndërsa IVF aplikohet vetëm në rastet kur metodat tjera nuk japin rezultat.

Ndrejaj sqaroi se procedurat e IVF-it nuk janë të shpejta dhe kërkojnë kohë, pasi shpesh një paciente duhet të kalojë disa cikle trajtimi që zgjasin me muaj.

Edhe Mbi 1 mijë e 300 konsultime këtë vit për IVF në Klinikën e Gjinekologjisë Arbëri 1 j. më parë Mbi 1 mijë e 300 konsultime këtë vit për IVF në Klinikën e Gjinekologjisë

“Procedurat zgjasin disa javë dhe nuk mund të pritet sukses i menjëhershëm. Shpesh nevojiten disa tentativa, pasi gjithçka varet nga cikli natyror i pacientes”, theksoi ai.

Ndërkohë, më 12 mars, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia bëri të ditur se për herë të parë në sistemin publik në QKUK është konfirmuar një shtatzëni e arritur përmes IVF-it.

Ndrejaj bëri të ditur se pacientja që pati sukses është e lindur në vitin 1995 dhe ka arritur shtatzëni që në tentimin e parë me procedurat e IVF-it pas pesë vjetësh martesë.

Shefi i Gjinekologjisë u shpreh optimist se shumë shpejt pritet të konfirmohen edhe rastet e tjera.

VIDEO: Biseda e plotë me dr. Zef Ndrejaj

Edhe Vitia: Konfirmohet shtatzënia e parë pas IVF-së në QKUK Arbëri 4 muaj më parë Vitia: Konfirmohet shtatzënia e parë pas IVF-së në QKUK

Në institucionet private, shërbimi i IVF-it kushton nga 3 deri në 4 mijë euro, ndërkaq në QKUK ofrohet falas për dy herët e para, ndërsa më pas çmimi për një procedurë është 670 euro.

KOHA raportoi javë më parë se shërbimi i fertilizimit të asistuar mjekësor në QKUK përballet me mungesë të 11 barnave të domosdoshme. Për pasojë, çiftet që duan ta nisin menjëherë trajtimin, i blejnë vetë ato. Pas dështimit të blerjes së barnave nga QKUK-ja, udhëheqja e procedurave të prokurimit pati kaluar në Ministri të Shëndetësisë, e cila ka hapur tenderin, por për katër lloje medikamentesh nuk ka pasur asnjë ofertues.